Dëmtimet nuk i ndahen Flamurtarit

Futboll

Dëmtimet nuk i ndahen Flamurtarit

Më: 30 janar 2025 Në ora: 14:06
Flamurtari

Bruno Telushi ka përfunduar në Serbi për t‘u rikuperuar. “Panorama Sport“, mëson se lojtari fundjavën që kaloi iu nënshtrua një rezonance dhe kontrolli të specializuar në një klinikë private në Tiranë. Pas daljes së rezultateve është arritur në konkluzionin, se futbollisti duhet të merrte një trajtim ekstra, me qëllim që të rikuperohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Nga ekzaminimet ka rezultuar, se Telushi ka një tërheqje në pulpë. Në këto kushte u mendua që të udhëtonte drejt Beogradit ku do t’i nënshtrohet kurave te klinika e specializuar e terapistes serbe, Marjana Kvaçeviç, aty ku shkojnë futbollistë nga e gjithë bota. Vetë lojtari, por edhe klubi kërkojnë që rikuperimi të vijë sa më shpejt dhe mesfushori ta shijojë në një kohë sa më të afërt debutimin me fanellën e Flamurtarit në këtë rikthim të tij në shtëpi, pasi deri tani ende nuk është aktivizuar.

Në intervistën e dhënë për gazetën dy javë më parë, Telushi shpresonte që të rikthehej më shpejt në fushën e lojën, por nuk ka ndodhur kështu.

“Kam një dëmtim të lehtë. Besoj se edhe këtë javë do të jem jashtë fushës dhe pastaj do të jem i gatshëm për ekipin, për trajnerin, për të dhënë maksimumin tim me eksperiencën dhe gjithçka që kam. Kthimi im në Vlorë është me shumë emocion nga ana ime dhe një zgjedhje që e kam bërë me zemër. Pa diskutim që do të japë maksimumin me qëllim që Flamurtari të shkojë aty ku i takon në Superiore“, deklaroi vlonjati para dy javësh. Burime pranë lojtarit konfirmojnë për “Panorama Sport“, se shpresohet që Telushi t‘i bashkohet ekipit javën që vjen. Nëse gjërat ecin sipas parashikimeve për 3 javë, ai mund të jetë gati për të luajtur në fushë.

DËMTIMI I ALLËS. E ndërsa Telushi është nisur në drejtim të Beogradit, Albi Alla ka shkuar në Greqi. Mbrojtësi ka dëmtim në menisk. Nga ndeshja me Burrelin, Alla pësoi zgjatje të ligamentit kolateral medial, çka bëri që të qëndrojë jashtë për disa javë. Rikuperimi për 31-vjeçarin, pritet që të zgjasë edhe disa javë të tjera. Gazeta mëson se Alla mund të jetë gati për t’u aktivizuar për 4 deri 6 javë.

SITUATA – Dy lojtarë të tjerë tashmë e kanë kaluar dëmtimin. Bëhet fjalë për Herald Markun dhe Ilir Allmuçën. Marku u aktivizua që në ndeshjen e fundit me Kastriotin. Dy futbollistët u dëmtuan në stërvitje në një dyluftim mes tyre. Ndërkaq për ndeshjen me Lushnjën rikthehet Stivian Janku, që e shleu kartonin e kuq që mori në ndeshjen me Pogradecin. Tashmë është përmirësuar në skuadër edhe situata e virozave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat