Tronditet Juventusi

Futboll

Tronditet Juventusi

Më: 30 janar 2025 Në ora: 14:20
Foto ilustrim

Një goditje e rëndë vjen për Juventusin me dëmtimin e Pierre Kalulu. Analizat e kryera, pas problemit që pësoi në minutat e para të ndeshjes së Champions League kundër Benfikës, kanë treguar një dëmtim të shkallës së ulët në tendinën e muskulit semimembranoz të kofshës së djathtë.

“Për rreth 10 ditë do të kryhen ekzaminime të tjera për të përcaktuar me saktësi kohën e rikuperimit”, – thuhet në komunikatën e klubit bardhezi, pas testeve të kryera në “J-Medical”.

Pothuajse me siguri, qendërmbrojtësi nuk do të jetë i disponueshëm jo vetëm për ndeshjet ndaj Empolit dhe Comos, por edhe supersfidën kundër Interit dhe “play-off”-in e Champions-it.

“E ndjeu diçka pas, kur rrëshqiti, dhe nuk u ndje i gatshëm për të vazhduar. Shpresojmë të mos jetë diçka serioze dhe të rikuperohet për ndeshjen e ardhshme, edhe pse e shoh të vështirë”, –  kishte deklaruar trajneri Thiago Motta gjatë konferencës pas ndeshjes.

Shpresat e trajnerit u shuan me rezultatet e analizave, duke hapur një tjetër “emergjencë” në mbrojtje për Juven. Pavarësisht afrimeve të Renato Veiga dhe Alberto Costa për të përforcuar repartin, pas dëmtimeve të Bremer dhe Cabal, Thiago Motta nuk ka shumë alternativa për ndeshjet e ardhshme.

Ai madje mund të vendosë të spostojë Locatellin në qendër të mbrojtjes, përkrah Gatti, ashtu siç ndodhi kundër Benfikës, pas daljes nga fusha e Kalulu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat