Ukrainasit ngrenë në qiell Ermir Rashicën

Futboll

Ukrainasit ngrenë në qiell Ermir Rashicën

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 11:41
Ermir Rashica

Ermir Rashica po luan ndeshjet e fundit me fanellën e Skënderbeut, pasi ka firmosur me klubin ukrainas të Metalist 1025 dhe në fund të shkurtit do të lërë Korçën.Ukrainasit siguruan shërbimet e sulmuesit 20-vjeçar ditët e fundit të merkatos së janarit për shumën e 800 mijë eurove, që do të ndahen mes Skënderbeut dhe Trepçës 89.

Për drejtuesit e ekipit që militon në ligën e dytë të kampionatit lindor, blerja e futbollistit kosovar është mjaft e rëndësishme, siç konfirmon edhe zëvendëspresidenti i Metalist, Juri Korotiun.

“Më 28 janar ne firmosëm zyrtarisht me 20-vjeçarin shqiptar Ermir Rashica nga Skënderbeu, i cili luan si anësor i djathtë në sulm.

Ai është një nga lojtarët më premtues të kampionatit shqiptar, u përfshi në formacionin më të mirë të vitit në Shqipëri dhe u zgjodh si i riu më i talentuar në vendin e tij. Personalisht, Rashica me kujton Andrij Jarmolenkon për fizikun dhe mënyrën si lëviz. Dua t’ju tregoj një histori interesante.

Ermiri kreu vizitat mjekësore në një klinikë, ku kryenin ekzaminimet yjet e futbollit gjerman. Prej shumë kohësh në këtë klinikë mbahej rekordi i kërcimit vertikal nga Miroslav Klose. Mirë pra, Rashica e theu! Të gjithë në këtë klinikë u tronditën”, tregoi Korotiun për sulmuesin e korçarëve.

Në klubin ukrainas janë të bindur se kanë bërë një investim të mirë, duke pasur parasysh edhe moshën e lojtarit, që në të ardhmen mund të shitet në një ekip më të mirë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat