Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka shpjeguar pse ai e vlerëson Barcelonën si ‘skuadrën më të mirë në La Liga’, pasi ekipi i tij u ndal me barazim nga rivali Real Madridi.
Real Madridi e ruajti pozitën si lider në kampionatin spanjoll pasi një gol i Kylian Mbappe në pjesën e dytë e zhvlerësoi atë që shënoi Julian Alvarez në të parën nga pika e bardhë.
‘Los Blancos’ mbeten tashmë vetëm një pikë mbi Atletico Madridin në tabelën e La Ligas dhe pesë ndaj Barcelonës, të cilët mund të zbutin diferencën nëse fitojnë sot (e diel) ndaj Sevillës.
“Unë ende insistoj se Barcelona është skuadra më e mirë në La Liga. Ata sulmojnë shumë mirë, kanë një shpejtësi të jashtëzakonshme tek lojtarët e tyre dhe luajnë shumë mirë si skuadër”.
“Le të shohim nëse ata do të fitojnë (ndaj Sevillës). Do të jetë interesante për t’i parë gazetarët duke e shijuar këtë garë të ngushtë”, ka thënë tekniku argjentinas.
Tutje, ai u ndal për të komentuar gjithashtu edhe ndeshjen që zhvilloi ekipi i tij në ‘Santiago Bernabeu’.
“Ne nuk ishim aq të mirë në metrat e fundit për t’i shfrytëzuar në avantazhin tonë rastet që kishim. Ne duhet të kishim bërë më mirë. Në pjesën e dytë, nisi me një gol të hershëm nga ana e tyre, ata luajtën me më shumë intensitet në pjesën e dytë”.
“Kishim raste për ta fituar ndeshjen, por ne nuk arritëm ta bëjmë këtë. Kjo do të thotë se duhej të barazonim. Natyrisht, ne kishim ndjenjën se mund të kishim fituar për pjesën më të madhe të ndeshjes”, përfundoi ai./