Ka përfunduar në barazim derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, sfidë e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”.
Mes sherrit të tifozëve në prag të sfidës, sherrit të lojtarëve në fushë në fund të derbit dhe 7 kartonëve të kuq, kjo ndeshje u mbyll me rezultatin 1-1. Në fund të këtij dueli ka folur trajneri i bardhebluve. Bledi Shkëmbi.
“Në fakt nuk më djeg si humbje kjo sfidë. Patëm momente për ta çuar ndeshjen në 2-0, keq më vjen për pikët dhe lojtarët. Nuk bëmë një lojë të bukur, por dhamë maksimumin për ta fituar ndeshjen.
Ndonjëherë nuk është e mjaftueshme që me 1-0 të fitosh. Jemi të mërzitur për situatën për pikët që lamë dhe situatën që jemi. Kemi shumë ndeshje, duhet të dalim nga kjo situatë dhe unë besoj shumë që do të dalim.
Jam i pakënaqur me skuadrën në disa momente, disa minuta si duhet të silleshim kur kishim topin në këmbë.
Një skuadër nuk mbron rezultatin duke u mbrojtur dhe vrapuar, por duke e qenë e qartë edhe në sulm.
Pësuam atë gol në fund, por pavarësisht goditjeve standarde, mu duk meritë e kundërshtarit sesa gabim i joni.
Po mbronin shumë mirë. Mesa më thonë futbollistët ka patur një moment faull te Kola, ai faull nuk u dha dhe u shënua gol. Ndonjëherë është edhe fati.
Unë jam i pakënaqur pikërisht nga minutat e fundit kur kishim topin në këmbë dhe e humbëm me lehtësi. Partizani na vendosi në vështirësi me korrne dhe faulla. Këto ishin momentet e pakënaqësisë.
Pjesa tjetër pastaj, në përgjithësi i bëmë shumë mirë detyrat. Por duhet të fillojmë të marrim 3 pikët. Mendoj që në shumicën e kohës ne ishim më të rrezikshëm se kundërshtari. E thashë që në futboll duhet të shënosh të dytin dhe të tretin për të qenë më i qetë dhe i sigurt”, është shprehur Shkëmbi.