Dean Huijsen, mbrojtësi premtues që po shkëlqen te Bournemouth, është kthyer në një nga zbulimet e mëdha të Premier League. Edhe pse vetëm 19-vjeç, pjekuria e tij në fushë dhe aftësia për të udhëhequr mbrojtjen nuk kanë kaluar pa u vënë re nga klubet e njohura.
Real Madrid është një nga klubet më të interesuara që kërkon të sigurojë shërbimet e mbrojtësit për sezonin e ardhshëm.
Drejtuesit e “Los Blancos” shohin te Huijsen një përforcim ideal për të rinovuar qendrën e mbrojtjes në planin afatgjatë, ku aktualisht janë “veteranët” si David Alaba dhe Antonio Rudiger.
Mediat angleze raportojnë se burime shumë pranë lojtarit thonë se Huijsen jo vetëm që është në dijeni të interesimit të Real Madrid-it, por tashmë e ka dhënë dritën jeshile për t’u transferuar në Madrid në verë.
19-vjeçari është i bindur se transferimi në kryeqytetin spanjoll do të ishte një hap gjigant në karrierën e tij dhe sfida për të konkurruar në një nga klubet më të mëdha në botë është shumë joshëse.
Megjithatë, Bournemouth nuk do të heqë dorë lehtë nga lojtari, duke parë interesin e shumë klubeve të mëdha. Edhe pse një shifër specifike nuk është bërë ende e ditur, pritet që klubi anglez të vërë shumë shpejt në dijeni Real-in për shifrën që kërkon për kartonin e 19-vjeçarit.
Kujtojmë se Hujisen ka qenë pjesë e Juventusit, i cili e huazoi te Roma, më pas ishte Bournemouth që pagoi 15 milionë euro për kartonin e tij.