Thellohet kaosi te Milani

Futboll

Thellohet kaosi te Milani

Më: 7 mars 2025 Në ora: 14:17
Sérgio Conceição

Një tjetër kapitull në kaosin e Milanit. Kësaj here, megjithatë, nuk ka të bëjë me fushën, por me komunikimin. Dorëheqja e zëdhënësit të Sérgio Conceição, Francisco Empis, vjen pas furtunës së shkaktuar nga mesazhet e tij drejtuar gazetarëve italianë.

Në ato komunikime, Empis thuhet se ka folur për pakënaqësinë e Conceição me strukturën e Milanellos, me përgatitjen atletike të trashëguar nga Fonseca dhe mungesën e një drejtimi të qartë nga ana e “shefave”, me Gerry Cardinale gjithnjë e më larg projektit.

Conceição menjëherë është distancuar nga ato deklarata, duke i mohuar dhe theksuar përkushtimin e tij të plotë për Milanin.

Dorëheqja e zëdhënësit, e shoqëruar me kërkim-falje zyrtare, duket se synon të mbyllë çështjen si një nismë personale e Empis, i cili supozohet se ka përhapur informacione të gabuara dhe të paautorizuara. Megjithatë, kjo çështje shton edhe më shumë pasiguri në një ambient tashmë të trazuar. Kaosi te Milani vazhdon dhe ndjesia është se ky mund të jetë vetëm fillimi i tronditjeve të tjera të mundshme.

Çfarë ndodhi? Zëdhënësi i Conceição, Francisco Empis, dje u dërgoi disa mesazhe gazetarëve italianë lidhur me pakënaqësinë e trajnerit për strukturën e Milanellos (jo në nivelin e një top-klubi), përgatitjen atletike të skuadrës nën drejtimin e Fonseca, angazhimin e pamjaftueshëm të disa lojtarëve dhe mbi të gjitha mungesën e mbështetjes nga ana e drejtuesve, mes mungesës së një drejtimi të qartë në projektin teknik (kohë të gjata në merkato, mungesë e një “polici të keq” në marrëdhënien me lojtarët, pak qartësi mbi detyrat) dhe një pronar të largët si Gerry Cardinale, i cili mungon në Milano prej shumë muajsh për arsye që nuk janë shpjeguar kurrë publikisht.

Vetë Conceição ka mohuar se të tilla mendime i përkasin atij: “E vuaj shumë momentin e Milanit, por asgjë nga ato që janë raportuar për mua nuk janë të vërteta. Klubi është gjithmonë i pranishëm, e di që drejtuesit janë me mua”.

Zëdhënësi i trajnerit, në mesazhin e tij, kërkoi falje ndaj Conceição dhe Milanit, por jo pa bërë disa sqarime: “Informacionet e publikuara përmbajnë disa gabime dhe pasaktësi, veçanërisht sa i përket marrëdhënieve mes anëtarëve të skuadrës, stafit teknik dhe drejtuesve të Milanit. Nuk pasqyrojnë të vërtetën e fakteve, janë më shumë thashetheme dhe supozime pa asnjë bazë faktike”.

Dhe kështu, një kapitull, të paktën në dukje, është zgjidhur, duke u arkivuar si keqkuptim ose një iniciativë individuale. Megjithatë, të gjitha problemet e Milanit mbeten ende mbi tryezë dhe të shtunën, në Lecce, askush nuk do të mund t’i fshijë ato. Ndjesia është se, në një situatë të tillë, gjithçka mund të ndodhë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat