Kontrata aktuale e Gianluigi Donnarumma me PSG-në skadon në verën e vitit të ardhshëm dhe deri më tani nuk ka sinjale rinovimi. Ndaj, shumë klube të mëdha po ndjekin nga afër situatën e portierit italian dhe do të tentojnë transferimin e mundshëm të tij.
Bayern Munich duket se është klubi më i interesuar për portierin italian, pasi bavarezët prej kohësh po kërkojnë një zëvendësues të denjë për Manuel Neuer dhe italiani duket se është alternativa e duhur.
Drejtuesit e klubit bavarez janë të bindur se Donnarumma përshtatet në mënyrë të përkryer me projektin e tyre afatgjatë, duke ofruar siguri në portë.
Gjithsesi, Bayern është ende në fazën e interesimit, pasi vështirë se PSG do lejojë aq lehtë largimin e portierit italian, që aktualisht është një nga më të mirët në botë.
Në rast se italiani nuk pranon rinovimin, klubi parizien është i detyruar të lejojë shitjen e tij këtë verë, në mënyrë që të mos e humbë si lojtar i lirë në verën e vitit 2026.
Donnarumma vlerësohet rreth shifrave 50-60 milionë euro, një shumë mëse e përballueshme për një klub gjigant me financa të shëndosha si Bayern Munich.