Lurë, ortek me besë e burrëri,
Qëndrestare në luftëra pa mbarim…
Beteja e Lanë Lurës ka hyrë në histori
Dhe vjen e mesazhon ajo në vargun tim.
Luftë me turk e serb, luftë me krajl e mbret
Luftë po ban kjo Lura për ma se treqind vjet
Prin Elez Isufi, Gjenerali me shajak
Mbi urditë e hasmit, o burra, merrni hak!...
Në Lanë Lurë u ndeshëm trimat për liri
Reç e Dardhë e Dibër kudo për shqiptari
Lura piqte bukë në llogore qëndrese
Lura jepte besë në kulla fortese.
Bijtë e Lurës time, azgana me fletë
S’ishin një e dy por dhjetëra qindra vetë…
U skuq krejt Kunora me gjak dushmani
Ku nis Lura ime, aty nis vatani…
Në borë e furtunë, në mal të Kunorës
U pagëzuan trimat me zanin e grykëhollës
Lurë moj qëndrestare, bre ç’të paska hije
Tremijë vjet stolisun me kunorë lirie…
Lurë, moj flakë vetime, yllnajë e pashuar
Ku vetë Jul Çezari këtej ka kaluar
Ku Teuta jonë, mbretëresha iliriane
Vinte të pushonte me familjën kësaj ane.
Lanë Lurë, o vis ku gjurmët ndriçojnë
Historinë e shqipeve furtunë ndër agime
Në flakërimë të yjeve trimat po kalojnë
Dhe vijnë e ulen krenarë në këngën time.
Nuk të trembi krajli, as mbreti, as Nemcja
As serbi me hordhitë mizore të pushtimit
Në kullat e tua ku zuri fill jeta
Beteja e Lanë Lurës bën rrugë drejt amëshimit…
Beteja e Lanë Lurës, mesazh krenarie
Vjen e zgjon mendimin m'u ndër kullat tona
Çdo pragu yt Lurë karakoll lirie
Në shekuj përcjell për luftën jehona.
Beteja e Lanë Lurës, gjurmë historie
Ku lurianët shkruan faqe legjendare
Kur ti thua Lurë, ke thënë shpirt shqiptarie
e shkon qëndresa ndër mijëvjeçare.