Pas një beteje shumëshekullore
me buzëqeshje
me bukë kripë e zemër
me luftë
e zumë armikun duke u dhjerë
në pikë të ditës
dhe fituam
Tash u bënë njëzet e një vjet
që kur erdhi liria
po aq vite u bënë
e nuk ikën uria
Dikur
dëshmori u mërzit
aq shumë u mërzit
sa u ngrit nga varri
e kapi ditën për brirë
i hipi mbi shpinë
dhe iku
Dikush thotë
që ka shkuar në varreza të tjera
disa thonë që ka shkuar
për të vdekur
për një atdhe tjetër
"Me zemër në qese najloni", SH.B. Armagedoni, 2021