Pse qan deti

Kultura

Pse qan deti

Nga: Shefqet Dibrani Më: 31 gusht 2021 Në ora: 13:34
Shefqet Dibrani

DETI qan me zë,
se është Zëri i Zotit
Atij kurrë nuk i pushojnë
gjëmat dhe tallazet,
gjerë sa të ketë Diell
mbi kokat tona.

Deti qan sepse është klithje
për braktisjet që nuk po zvoglohen
dhe për rrallimet e gjithmonshme.

Qan Deti,
për pakësimin e zërave fëmijëror
që pushuan të gazmueshëm
mbi rërën dhe në gjirin ujor të tij.

Tash Deti qan për ditët e veruesve
që nuk patën të qara e as kukama,
por qetësisht e qenjësisht u dashuruan
duke i mbëltuar plagët e kohës.

Ata derdhen gëzimin e tyre
mbi valët e detit,
e sot Valët e Ulqinit janë tërbuara
nga frika e vetëmisë
që askush nuk do t‘ia trazojë
vuajtjet në vetminë e gjatë!

Tashmë Deti në Ulqin
po fillon uvertyrën e Tij
të përvitshme që zakonisht
nis në Vjeshtat e Vona
dhe përshkohet nëpër Vetminë
e Viteve të Vjetruara…

Dhembja e DETIT
është dhembje popullore
që shkrihet si Akullore,
andaj edhe valet tërbohen
e tallazet zemërohen!

Qan DETI si me gërnetë,
lotët zdirgjen nga sytë e Tij me tërbim,
për ikjen e pushuesve në mërgim,
në dhera të larta dhe vende të largëta
tej kufijve të harresës, përtej ëndrrës,
ndanë shpresës për kthime të bardha!...

Qajnë edhe ulqinakët
për vetën e tyre të braktisur
në këtë Oazë Dhembshurie,
në këto brigje ku kanë ngulitur
historinë e tyre ekzistenciale,
bri Atdheut Atëror,
buzë Shkëmbinjëve
me Kalan prej Guri
Lartë e lartësuar.

Dhe një Derë të Hapur,
ulqinakët gjithmonë e kanë lënë,
për kthimet e vonshme
të atdhetarëve
me gjymtyrë të shkapërderdhura
dherave gjithandej Globit!

Sot në Ulqin nuk po bie shi jo?!…

Në Ulqin,
sot po pikojnë lotët e vajzave
për djemt që i braktisën,
lotojnë Ata sy kthyer kah Deti,
Vajzat Ulqinake
janë simfoni e dhembjes
kombëtare.

Sytë e tyre ngjyrë Deti,
presin kthimet e dashurive
që u mungojnë,
presin dashuritë
që Deti ua katandisi nëpër botë.

Vetëm Deti i Ulqinit,
tërë verën qeshi e përjetoi
momente gëzimi
dhe
blatoi dashuri mallëngjimi!

Sot nuk po bie shi në Ulqin,
por rrjedhin rrëke lotët mallëgjyes
për ikjet në mërgim.

Fundja e fundit vetëm Ulqini
qesh e qan në të një ditë
duke iu rikthyer
çdo herë përditshmërisë!

Eh... DETI QAN
për dashuritë e Ulqint
të fundosura si Sirenat
në fundin e DETIT të trazuar
dhe nga atje do të rikthehen
si tallazet për t‘i sfiduar shekujt!…

Ulqin, 28 gusht 2021.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat