Artisti i Lirisë

Kultura

Artisti i Lirisë

Nga: Hejza Art Më: 12 prill 2022 Në ora: 14:10
Agim Ramadani, foto ilustruese

Me rastin e 23 vjetorit të rënies së heroit të kombit, Komandant Agim Ramadanit, e përkujtoi bashkudhëtarja e jetës së tij, zonja Shukrie Ramadani! Por, çka bëri vendi i tij në këtë ditë përkujtimi për këtë ARTIST TË LIRISË.

Krijuesi doli në betejë dhe na e performoi artin e lirisë! Na tha: “Ikja ime le të jetë jeta e juaj në liri”! Mos e keqkuptuam, si komb, fjalën “liri”! Sikur menduam se liri do të thotë veprim i shthurur dhe pa përgjegjësi!

Këtu diku buron tërë ai shqetësim i zonjës Ramadani dhe jo në “faktin” se po humbet në liri! Zonja Ramadani e njeh lirinë shumë bukur, e di shkronjë për shkronje, sepse Komandanti ia kishte projektuar në mënyrë të përkryer, e kishte parë edhe më herët si do të duket, si do të jetë ajo liri e Kosovës, e cila do t’i shkrijë eshtrat në art e në kulturë, sepse ngado ta shikosh, ngado t’i biesh, liri do të thotë art e kulturë, mbushullim me vlera që nderojnë paraardhësit dhe pasardhësit tanë!

Pse të jetë me kaq dhimbje liria për zonjën Ramadani! Liria duhet të jetë eliksir për rehatinë e çdo shpirti! Po kur liria shkakton dhimbje të papërballueshme?! Vetëm kur vdes qytetaria, kur vlerat mbulohen me plaf qeni mbi të cilin nis e defilon “aristokracia” e snobëve dhe mediokrëve! A mund të të falë kënaqësi liria kur sheh se si në tezga pazari nxirren copa e kufij të atdheut, kur përfituesit e luftës barazohen me viktimat e luftës, kur ëndrrat e martirëve interpretohen si “udhëtim somnabulësh”!

Komandant Agim Ramadani e deshti lirinë po aq sa krijimtarinë dhe artin! Një ARTIST i vërtetë që për popullin e vet kishte projektuar një liri përplot me art e kulturë! I dhënë pas vlerave artistike ai e dinte se kryevepër e Zotit është LIRIA për të cilën ia vlen të flijohesh në çdo sekondë të jetës dhe në një prej fraksioneve të tij sërish të ringjallesh e ta japësh kontributin për liri! A ka humbur ndër ne koncepti i lirisë! A mos pikërisht këtu e sheh atë trishtim të hatashëm zonja Ramdani kur në përkujtimin e saj të përshpirtshëm belbëzon përvajshëm: “Pse liria kaq dhembje paska”!

Është shumë njerëzore që të na marrë malli për buzëqeshjen e atyre pa të cilët nuk bëjmë dot! Zonja Ramadani ndjehet e lumtur që është pronare e asaj buzëqeshjes magjike të portretizuar në memorien e kombit! Ajo ndjehet e lumtur sa herë që me “zogjtë” e saj e përkujtojnë atë buzëqeshje që kurrë nuk shuhet! Ajo e ka vetëm një brengë e cila i dhemb deri në trishtim: “venitjen e kësaj buzëqeshje në fytyrën e kombit”! Komandant Agim Ramadani i buzëqeshte magjishëm LIRISË, i buzëqeshte martirëzimit që po i vinte në emër të vlerës që barazohet me vetë Zotin – LIRINË! Atë buzëqeshje, për të cilën ka mall zonja Ramadani, ia fali tërë kombit, sepse ishte i bindur se populli i vet, me atë pamje që shpreh buzëqeshjen engjëllore, do të vazhdojë ta lulëzojë lirinë plotë me vlera, njerëzore, morale, atdhetare, kulturore etj.

Kjo buzëqeshje nuk guxon kurrë të venitet derisa të ekzistojë toka ku u derdh gjaku i dëshmorit për liri! Vrasësit e kësaj buzëqeshje të shenjtë duhet të mallkohen!

Më mirë të bie mallkimi mbi popullin tonë se sa Zonja e Komandantit të fishket nga malli për atë buzëqeshje që nuk po e sheh në asnjë fytyrë! Zonja e Komandantit e do atë buzëqeshje magjike, sepse atë mund ta shprehin vetëm krijuesit e LIRISË! I përjetë kujtimi për ata që ranë në altarin e lirisë! /HEJZA/

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat