Cila nënë

Kultura

Cila nënë

Nga: Hamza Halabaku Më: 8 mars 2023 Në ora: 21:02
Hamza Halabaku

Cila nënë është më e madhe,

se kjo tokë e gjithë ky dhe?

Është Arbënorja që ka lindur

trimin e madh, Ty, Skënderbe!

Cila nënë e ka zemrën

të madhe sa mali?

Është Labemadhja

q’e kish nënë Ismail Qemali.

Cila nënë lindi fëmijë,

siç lind hardhia rrushin...?

Është Nënëmira

që e rriti Gurakuqin.

Cila nënë e ka aromën

më të këndshme se blirin?

Është Nënëlokja përmetare

që na fali poet Naimin.

Cila nënë e ka zemrën

më të fortë se gurin?

Është Fisnikja kosovare

që n’jetë solli Bajram Currin.

Cila nënë është rreze drite,

dhe pa asgjë të zezë?

Është Trimëresha prej Mirdite

që i fali botës Shën Nënën Terezë!

Cila nënë burrneshë fare

meriton të mbajë kurorën?

Është ajo, porsi Shota kosovare,

që pat djalë Ibrahim Rugovën!

Cila nënë me vuajtje e halle

veç me këngë e mbushi dishtën?

Është Zadrimorja një azgane

që i dha kombit Atë Gjergj Fishtën!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat