Fakti që yjet e sotme kanë shumë sekrete të bukurisë tanimë nuk është sekret, pasi që janë shpalosur shumica e sekreteve të të famshmeve të ditëve të sotme. Mirëpo, më poshtë ua kemi sjellë disa nga sekretet e vjetra të Hollivudit, që fare lehtë mund t'i fusni në rutinën tuaj të bukurisë.
MARILYN MONROE
Për të bërë që buzët e saj të duken më të mbushura, Monroe kishte kërkuar nga artisti i saj i grimit që të përdorte pesë nuanca të buzëkuqit dhe të shkëlqyesit të buzëve, për të krijuar kështu dimensione të ndryshme në buzët e saj. Në skajet e jashtme të buzëve kishte përdorur ngjyra me nuanca më të mbyllëta, ndërsa në qendër të buzëve kishte përdorur nuanca më të çelëta.
AUDREY HEPBURN
Sekreti prapa qerpikëve të gjatë të Hepburn-it është ndarja e secilës fije të qerpikëve, veç e veç. Çdoherë pas aplikimit të maskarës, ajo i kishte ndarë fijet e qerpikëve, duke bërë kështu që qerpikët të dukeshin më të gjatë dhe pa mbetje në mes.
ELIZABETH TAYLOR
Liz Taylor është bërë e njohur për një gjë shumë karakteristike: ajo është njëra nga pak të famshmet që ka praktikuar rruajtjen e fytyrës. Në fakt, nëpërmjet kësaj fshehtësie ajo ka arritur që të përfitojë një lëkurë të butë vezulluese.