Nga catwalk-u deri në tapetin e kuq, kombinimi i xhaketës dhe kravatës është rikthyer për femrat – një shenjë fuqie dhe autoriteti, thonë fansat e këtij stili. Ky kombinim ka qenë një element i veshjes mashkullore për shekuj, por gjithmonë ka qenë më i spikatur dhe i guximshëm kur është veshur nga femrat.
Në pasarelat e modës, dizajnerët po e risjellin këtë pamje. Tolu Coker në Londër dhe Thom Browne në Nju Jork paraqitën versionet e tyre të xhaketave dhe kravatave për femra. Po ashtu, yjet si Nicole Kidman dhe Rihanna po i japin pamjes këtë stil, shkruan BBC.
Yasmine Tangou, një krijuese e përmbajtjes online dhe arkitekte nga Parisi, e preferon këtë stil për strukturën dhe lëvizjen që ofron veshja mashkullore, duke e parë atë si një shenjë guximi. Ajo thotë se kravatat dhe xhaketat po bëhen një simbol i fuqisë dhe autoritetit, veçanërisht për gratë. Ky trend ka rritur popullaritetin, sidomos pas periudhës së punës nga shtëpia, dhe është një reagim ndaj liderëve meshkuj të fuqishëm, raporton KosovaPress.
Edhe pse disa e shohin këtë rikthim si një ndikim politik, shumë të tjerë e shohin si një mënyrë për t’u shprehur dhe për të eksperimentuar me modën, veçanërisht për brezat e rinj që po e gjejnë argëtues këtë stil.