Përvoja ime me mendimet e shprehura në facebook

Opinione

Përvoja ime me mendimet e shprehura në facebook

Nga: Lis Bukuroca Më: 23 janar 2025 Në ora: 10:11
Autori Lis Bukuroca

Duke lexuar mendimet e të tjerëve, kam dalluar tre grupe njerëzish dhe qëndrimet e tyre ndaj dijes dhe politikës në përgjithësi. Sigurisht, ka edhe grupe të tjera, por tani për tani mund të flas për këto tre:

Grupi i parë përbëhet nga njerëz që janë të interesuar të arsimohen më tej, të ndriçohen dhe të kuptojnë botën më mirë sesa e njohin tashmë. Edhe unë jam një prej tyre. Përpiqem vazhdimisht të mësoj dhe të korrigjoj ato që di ose ato që më janë krijuar si bindje fikse, pa e vënë re. Sapo të has argumente bindëse, gëzohem që më është dhënë mundësia të braktis një mendim të gabuar.

Grupi i dytë përbëhet nga ata që lexojnë, ndjekin informacionet dhe ngjarjet, por nuk shprehin mendimin e tyre ose nuk janë të interesuar të përfshihen në debat. Ata e ndjekin politikën dhe dijen nga larg, por nuk ndihen të motivuar të ndërhyjnë me dijen e tyre. Për ta, bota mund të shembet dhe ata do të qëndrojnë indiferentë.

Grupi i tretë përbëhet nga njerëz me bindje fikse, të cilët nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre, pavarësisht fakteve që u paraqiten. Ata nuk e shohin politikën si një fushë idesh dhe debatesh, por si një sistem besimi absolut. Nëse ndjekin një parti ose një lider, e pranojnë atë me përkushtim të verbër, ashtu si një ekstremist i nënshtrohet një religjioni. Nëse mendimet e tyre kundërshtohen, ata përdorin dhunë verbale: ofendime dhe kërcënime, drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Me këta njerëz kam pasur shpesh probleme. Disa prej tyre më është dashur t’i bllokoj. Ata nuk mësojnë kurrë, nuk e sfidojnë mendimin e tyre dhe nuk pranojnë asnjë argument që bie ndesh me bindjet e tyre të ngurta. Për ta, bindjet e tyre fikse dhe nënshtrimi ndaj një lideri politik shihen si një akt lojaliteti, për të cilin presin të shpërblehen, prandaj luftojnë për të. Jo duke menduar, por duke besuar se nuk ka alternativë tjetër.

Unë mendoj se këta njerëz nuk analizojnë thellë, por ndjekin vetëm ato “fakte” që u përshtaten interesave të liderit apo partisë që mbështesin. Pse e bëjnë? Sepse besojnë se, duke u rreshtuar pas një lideri, do të përfitojnë edhe vetë ose dikush i afërt me ta, shpesh nga familja.

Për të ndihmuar liderin e tyre, ata nuk hezitojnë të shpërndajnë video dhe lajme të rreme, zakonisht pa burim ose pa link, me qëllim që të dëmtojnë një kundërshtar dhe të lartësojnë dikë tjetër. Urrejtja e tyre ndaj të tjerëve është e skajshme, deri në atë pikë sa i shpallin lehtësisht tradhtarë. Ata reagojnë në mënyrë agresive kur lajmi poshtërues që shpërndajnë vihet në dyshim, por gabimet e liderit të tyre nuk i përmendin kurrë, sikur të ishte i shenjtë.

Në realitet, çdo parti politike ka nevojë për debat të brendshëm dhe reformim të vazhdueshëm për t’iu përshtatur kohës. Ato duhet të luftojnë për t’u shkëputur nga liderët e kaluar që kanë dëmtuar vendin. Prandaj, LDK, PDK dhe AAK kanë mbetur parti të ngjashme me ato bolshevike, të paafta për t'u distancuar nga “tutorët” e tyre, të cilët kanë shkaktuar dëme të mëdha me vendimet dhe nënshkrimet e tyre.

Këto parti premtojnë gjithçka, por gjithmonë lënë të kuptohet se do të vazhdojnë në rrugën e paraardhësve të tyre, duke treguar një mirënjohje të zvarritur ndaj “shefit”. Shembuj të tillë janë Abdixhiku, Krasniqi dhe Hamza.

Partitë që nuk ndryshojnë, nuk mund të fitojnë. Populli ka frikë prej tyre.

Për demokracinë nuk është e shëndetshme që një parti të fitojë shumicën absolute dhe të qeverisë e vetme. Për sfidat që do të pasojnë, nevojitet një koalicion i gjerë, i cili mund të sjellë zgjidhje të mëdha dhe të qëndrueshme.

Aktualisht, kemi dy lloje liderësh: njërin që refuzon gjithçka dhe të tjerët që ofrohen si alternativë për të nënshkruar dhe zbatuar çdo gjë pa kushte, duke u mjaftuar vetëm me pozitën. Si rezultat i atij epshi, janë nënshkruar obligime që kanë shkelur kushtetutën 23 herë, ndërsa nënshkruesi shpallet kryetar nderi i partisë. Kosova është në rrezik!

Qeveria e ardhshme duhet të përbëhet nga njerëz me dije, dinjitet dhe integritet, jo vetëm nga kuadrot e partive politike. Jo vetëm nga fituesit, por edhe nga opozita. Duhen të merren vendime të mëdha. Asnjë parti nuk ka vetë aq shumë njerëz të aftë dhe të besueshëm, sa të mbulojë të gjitha ministritë me individë të denjë për të udhëhequr. 

Për të realizuar një qeverisje të suksesshme dhe të qëndrueshme, duhet të angazhohen edhe dijetarë tjerë, që nuk janë të lidhur ngushtësisht me agjendat partiake, por që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të madh. Vetëm kështu mund të ndodhin ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme për Kosovën…

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat