Servilët e kryeshtetarëve tradhtarë tërhiqen zvarrë edhe para të huajve

Opinione

Servilët e kryeshtetarëve tradhtarë tërhiqen zvarrë edhe para të huajve

Nga: Eshref Ymeri Më: 12 mars 2025 Në ora: 08:36
Eshref Ymeri

Servilizmi, si një dukuri e zakonshme në marrëdhëniet ndërnjerëzore, bëhet i rrezikshëm kur demonstrohet me një zell të tepruar ndaj atij që është në krye të vendit, të cilin e ka tradhtuar. Por ai bëhet edhe më i rrezikshëm atëherë kur manifestohet ndaj të huajve. Në rastin e fundit, servilizmi fyen rëndë dhe ul deri në nivele të shëmtuara dinjitetin kombëtar.

Perëndimi evropian e ka ditur me kohë se cila është psikologjia e disa politikanëve shqiptarë, e ka njohur mirë natyrën e tyre servile dhe mercenare, për shkak të së cilës këta nuk ushqejnë kurrfarë respekti për popullin e vet, por ama janë gati orë e çast që të shndërrohen në rrogozë shembullorë dhe në lepitka të zellshme të të huajve. Populli shqiptar, po ashtu, i njeh mirë politikanët e vet se nga gjiri i tij kanë dalë. Por e keqja është se vetë populli shqiptar, tradicionalisht, të huajin e ka pasë respektuar dhe vazhdon ta respektojë më shumë se vetveten. Prandaj, gjatë shekujve, jo më kot, është krijuar në gjuhën shqipe ajo e famshmja fjalë e urtë paradoksale:

“Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit”.

Pra, shqiptari mikun, të huajin e ka pasë bërë zot shtëpie për shkak të mikpritjes së tij jashtë normave të etikës së komunikimit me të. Një qytetar i nderuar dardan, me banim në Zvicër, shkruan:

“… a na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia me të huajt? Asnjëherë, kurrë!” (Citohet sipas: Sokol Braha. “Vjen i kodrës, nxjerr të votrës”. Shtypshkronja “Grafobeni”. Prishtinë, 2011, f. 56).

Bujaria dhe zemërgjerësia paradoksale e shqiptarit me të huajt del në pah edhe në informacionin në vijim, të cilin e hasëm fare rastësisht në një faqe interneti:

“Donika Kastrioti, e para Zonjë e Parë e Arbërisë…
Kjo rrugë është mbas Selisë së Kuvendit, paralel me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Mbante emrin emblematik “Donika Kastrioti-Arianiti”. E, pra, tashmë ajo rrugë ka emërtimin “Ukraina e Lirë”. A s’ju kujton ky veprim parullat “Vietnami do fitojë”? O të marrë, o kozmopolitë, nuk mund të tejkalohet respekti ndaj emrave të shquar të historisë kombëtare me solidaritetin ndaj të tjerëve. Në emërtesat e rrugëve të Tiranës ka emra vrasësish dhe antetatorësh dhe ju hiqni emrin e së parës Zonjë të Parë të Arbërisë” (Citohet sipas: “Tiranë - Hiqet emri i rrugës së Donika Kastriotit dhe vihet Ukraina e Lirë.”. Faqja e internetit “Natyrale”. 19 maj 2022).

Pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosja më 14 shkurt 2021, Rama i Tiranës u rreshtua tërësisht në krah të Serbisë fashiste, duke flirtuar me kryekriminelin Vuçiç. Pra, i braktisi marrëdhëniet me Republikën e Dardanisë, duke ndjekur gjurmët e kryetradhtarit Enver Hoxha, i cili, në vitin 1946, ka pasë deklaruar:

“A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive. Pra, në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e munduar që kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi” (Citohet sipas: “Enver Hoxha më 1946: Kosova nën Serbi është mirë, ka liri, ka shkolla”. Faqja e internetit “kultplus”. 28 dhjetor 2020).

Mënyra se si u soll Rama ndaj Kryeministrit Albin Kurti në Samitin e Kotorrit, të zhvilluar më 16 maj 2024, ishte një njollë turpi në vetë ballin e tij. Ajo skenë, e transmetuar në mjetet e informimit masiv, kur Rama, si një njeri pa kurrfarë edukate, i zhveshur kokë e këmbë nga çdolloj kodi moral, pa e lëvizur absolutisht prapanicën nga vendi, për t’u çuar më këmbë, në shenjë respekti, për të përshëndetur Kryeministrin Albin Kurti kur hyri në atë mjedis në Kotorr, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se vendi ynë ka në krye një bërllok të mjedisit mbarëkombëtar, një surrogato, siç e etiketoi me shumë të drejtë intelektuali i shquar, Prof.dr. Enver Bytyçi, në mitingun e demokratëve të datës 23 maj 2024 pranë pallatit, ku banon udhëheqësi i opozitës, Prof.dr. Sali Berisha.

Sapo erdhi në pushtet në vitin 2013, Rama bëri ç’është e mundur që mjetet e informimit masiv të viheshin në shërbim të tij. Kjo solli si pasojë që, nëpër studio televizive, të dilnin në skenë servilë të gjithëllojshëm, pikërisht si në studion e Televizionit shtetëror putinist “Rusia 1”, në të cilin, natë e ditë, leh një lukuni e tërë pakurrizorësh në përkrahje të Putinit dhe të agresionit fashist kundër Ukrainës.

Servilizmi i moderatorëve dhe i analistëve në përkrahje të Ramës nëpër studiot televizive, erdhi e u bë edhe më i ndezur pas fjalëve të sorosistit Blinken, i cili, gjatë vizitës fluturake në Tiranë, duke iu drejtuar publikut, për Ramën deklaroi; “…është jo vetëm udhëheqës i shkëlqyer, por edhe kryeministër i mirë”. Pra, Blinkeni e fyente publikisht popullin opozitar shqiptar, i cili, më mirë se kushdo tjetër, e di vetë se sa “udhëheqës i shkëlqyer është” Rama, gjykuar nga bëmat e tij kriminale për shpopullimin tragjik të vendit.

Lukunia mediatike e servilëve të Ramës erdhi e i përqendroi sulmet në dy drejtime: kundër Profesor Sali Berishës, sidomos pas shpalljes së tij i padëshirueshëm nga ana e sorosistit Blinken, dhe kundër Kryeministrit Albin Kurti.

Për të qenë objektiv dhe në respekt të së vërtetës, duhet theksuar se Profesor Sali Berisha, si atëherë kur ka qenë në pushtet, edhe gjatë këtyre dymbëdhjetë vjetëve në opozitë, ka pasë manifestuar dhe vazhdon të manifestojë një qëndrim tejet dinjitoz ndaj të huajve dhe, konkretisht, ndaj ambasadorëve. Ai është personalitet me integritet të lartë moral, sepse në marrëdhëniet me diplomatët e huaj është karakterizuar nga korrektësia shembullore. Çuditërisht, disa ambasadorë amerikanë, gjatë mandatit të tyre në Tiranë, kanë pasë rënë “në dashuri” me Ramën. Le të kujtojmë për një çast ambasadorin Withers, i cili pati kryer funksionin e vet diplomatik në Tiranë prej 25 korrikut të vitit 2007 deri më 13 gusht 2010, pra, gjatë kohës kur Kryeministër ishte Profesor Sali Berisha. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, Withersi, që nga Amerika, u qe drejtuar shqiptarëve me një letër të posaçme, prej së cilës kemi shkëputur fragmentin në vijim:

“Të dashur miq!

Prej më shumë se një viti, unë kam folur dhe shkruar disa herë dhe për disa raste. Asnjëra nuk ka qenë kaq e mrekullueshme sa sot. Pas disa vitesh tranzicioni, ju, populli i Shqipërisë, folët. Të dielën, më 23 qershor, në një akt të përbashkët kurajoje dhe mençurie, ju u deklaruat në mënyrë të jashtëzakonshme pro lirisë… Një njeri i madh dikur ka thënë:

“Historia ofron momente të rralla kur njerëzit kapërcejnë të vjetrën për të përqafuar të renë, kur një epokë përfundon dhe kur shpirti i një kombi të shtypur gjatë, çlirohet”.

I tillë ishte rasti i 23 qershorit në Shqipëri. Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit rigraduan busullën e historisë suaj kombëtare. Mbetjet e së shkuarës komuniste u larguan dhe demokracia u rivendos. Tani e tutje, nuk duhet të ketë më kthim pas” (Citohet sipas: “Withers, letër shqiptarëve: Vota e 23 qershorit, akt historik”. Faqja e internetit “Lajme.gen.al”. 30 qershor 2013).

Pra, sipas Withersit, për të cilin nuk dihet se ku i ka humbur vula këtej nga Amerika, para 23 qershorit 2013, shqiptarët paskan qenë “të shtypur” dhe pas kësaj date “paskan fituar lirinë”, pas kësaj date “u rivendos demokracia”.

Këto deklarata absurde e bëjnë lexuesin të bjerë në përsiatje dhe të hamendësojë:

Së pari, ka mundësi që Withersit i kishin luajtur vidat e trurit dhe i thoshte këmbës dorë, duke hedhur në qarkullim mufka të tilla.

Së dyti, Profesor Sali Berisha, si Kryeministër dinjitoz, nuk ia ka ngrohur xhepin Withersit absolutisht, sepse marrëdhëniet e tij me diplomatët e huaj kanë ndjekur vazhdimisht trajektoren e autoritetit të Republikës së Shqipërisë. Por, sipas të gjitha gjasave, është Rama ai, i cili, megjithëse në opozitë, duhet t’ia ketë ngrohur mirë xhepin Withersit, prandaj edhe ky e vlerëson fitoren e socialistëve të vitit 2013 si “shpëtimtare” për Shqipërinë, duke deklaruar:

“Unë dua t’i përçoj urimet e mia të sinqerta kryeministrit të ardhshëm Rama. Ai është një njeri me një inteligjencë unike, perspektivë dhe vizion, i palodhur në devotshmërinë për Shqipërinë” (po aty).

Simpatinë për Ramën vazhdoi ta manifestonte me zell të madh ambasadorja Yuri Kim. Në marrëdhëniet me Ramën, ajo madje zbriti deri në nivele të tilla, saqë sillej sikur të ishte anëtare e asamblesë së partisë socialiste. Qëndrimi i saj ndaj opozitës ishte me të vëtetë i turpshëm. Prandaj, gjatë mandatit të saj në Tiranë, në internet pati edhe një informacion të tillë:

“Ambasadorja amerikane në Tiranë kërkon përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së të ish-Kryeministrit Sali Berisha” (Citohet sipas: “Yuri Kim Bashës: Shkëputuni nga Berisha, ndryshe “do hani bar””. Faqja e internetit “Bold News”. 30 korrik 2021).

Ja se si është shprehur Profesor Sali Berisha për ambasadoren Yuri Kim:

“Ajo sinkronizoi me Edi Ramën dhe qeverinë e tij sulmet e panumërta ndaj opozitës, përpjekjet antidemokratike të tij për kontrollin e opozitës për të mbështetur pushtetin e tij monist. Ajo ndërhyri në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore në vendime të gjykatave kundër opozitës së vërtetë, bëri presion të vazhdueshëm për hapje të proceseve gjyqësore ndaj opozitës. Ajo është ambasadorja që me qëndrimet e saj si guvernatore dhe antiopozitare, dëmtoi më shumë se kushdo tjetër reputacionin e vendit të madh të lirisë në Shqipëri dhe u sulmua me dhjetëra herë nga personalitete, media e politikanë të të gjithë spektrit politik opozitar dhe të pavarur…” (Citohet sipas: Ani Bame. “Berisha për Yuri Kim: U soll si sekretare e Partisë Socialiste”. Faqja e internetit “Top Radio”. 28 qershor 2023).

Për qëndrimet skandaloze të ambasadores Yuri Kim në Tiranë, e cila herë mbështetej në gjoksin e Ramës, herë në supin e Erion Veliajt, është tepër domethënës reagimi në vijim në shtypin amerikan të kohëve të fundit:

“Një ndër mediat analitike më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, ka publikuar një artikull, i cili ekspozon korrupsionin diplomatik të ish-ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim. Autori i shkrimit, Majkell Rubin, ndalet te aktiviteti i Yuri Kim, si ambasadore në Tiranë, dhe raporti i saj personal me Edi Ramën, i cili përshkruhet si lider autokrat dhe i korruptuar” (Citohet sipas: “Media në SHBA: Yuri Kim e korruptuar dhe bashkëpunëtore e Edi Ramës”. Faqja e internetit “Balkans News”. 22 janar 2025).

Pra, Yuri Kim, si pjellë e sorosizmit dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ramën, qe rreshtuar kundër Profesor Sali Berishës. Kjo është edhe njëra nga arsyet e vërteta që ai u shpall i padëshirueshëm nga sorosisti Blinken në Departamentin e Shtetit. Përveç kësaj, një tjetër arsye ka qenë edhe qëndrimi burrëror që Profesor Berisha ka mbajtur në mbojtje të vendosur të Republikës së Dardanisë, sepse, pas 12 qershorit të vitit 1999, ajo u braktis nga ndërkombëtarët, të cilët dolën në përkrahje të Serbisë fashiste. Ish-Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, ka pasë deklaruar:

“Pas ndërhyrjes ushtarake një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë“ (Faqja e internetit “Voal”. 16 prill 2011).

Deklarata e Lamberto Zanierit u vërtetua me fakte konkrete, kur Brukseli dhe Vashingtoni, në vend që të kërkonin që Serbia fashiste të paditej në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të ndëshkohej, duke e detyruar të dëmshpërblente Dardaninë për të gjitha masakrat dhe shkatërrimet e kryera atje, përkundrazi, vepruan ndryshe: i hodhën pas krahëve të gjitha krimet e përbindshme të Serbisë fashiste në Dardani dhe kësaj të fundit filluan t’i shtronin kërkesa paradoksale për t‘i bërë lëshime territoriale dhe politike Serbisë për krijimin e një mikroshteti serb, përmes të ashtquajturës bashkësi të komunave serbe.

Lukunia e servilëve të Ramës, si argat i Serbisë fashiste dhe armik i Dardanisë heroike, është fort e larmishme, por këtu do të ndalemi te disa prej tyre.

Diplomati i karrierës, Fatos Tarifa, ka deklaruar

“… është një papërgjegjësi e madhe t’u bësh karshillëk Uashingtonit dhe Brukselit…” (Citohet sipas: Fatos Tarifa. “Rreziku që vjen nga Albin Kurti”. Faqja e internetit “Demokracia”. 09 qershor 2023).

Në artikullin “demaskues” kundër Albin Kurtit, ai shkruan:

“Kryeministri Rama ka të drejtë kur thotë se ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë dhe s’mund t’u dalësh kundër”.

Frrok Çupi, si një servil i regjur i Ramës deri në pështirosje, duke u rreshtuar në krah të Grenellit, armikut të Republikës së Dardanisë, mercenarit të Serbisë, deklaron:

“Kosova i bën këto zgjedhje në kushtet e gjysmizolimit nga bota perëndimore. Qeveria Kurti e ka sfilitur dhe e ka shtënë vendin në një shteg të ngushtë pa dalje, pa aleatët perëndimorë, në një lak ekonomie, në një botë iluzioni e mashtrimi, në sanksione dhe neveri nga vetë fuqitë që i dhanë frymë dhe fuqi Kosovës që të bëhej shtet” (Citohet sipas: “Në Kosovë, i njëjti Grenell, por Tramp tjetër”. Faqja e internetit “abcnews”. 05 shkurt 2025).

Kreshnik Spahiu, politikani i dështuar i ish-Aleancës ”Kuq e Zi”, në atikullin me titull “Kreshnik Spahiu: Pse heshtin Trampistët e Shqipërisë, sot që SHBA kërkoi largimin e Albin Kurtit?”, të botuar në faqen e internetit të gazetës “Shqiptarja.com” të datës 03 shkurt 2025, e sulmon kryeministrin Albin Kurti po me të njëjtën urrejtje, si edhe mercenari i Serbisë Riçard Grenell. Në atë artikull, juristi me paha të madhe Kreshnik Spahiu s’e përmban dot mllefin kundër Kryeministrit Albin Kurti dhe shpërthen kundër tij:

“Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje që populli i Kosovës mos të votojë Albin Kurtin. Madje thirrja e SHBA ka shkuar më tej, duke e akuzuar si mashtrues dhe njeri të pabesueshëm për BE, NATO dhe SHBA”.

Duke iu drejtuar trampistëve të Tiranës, Kreshnik Spahiu nxjerr nga pena një xhevahir të vërtetë:

“Ata e dinë që nuk është e largët dita kur Trampi të bëjë thirrje se kush duhet të votohet në Shqipëri”.

Të mos e dijë vallë juristi Kreshnik Spahiu, që Trampit po i digjet mjekra në Shtëpinë e Batdhë pas atij qëndrimi të turpshëm që mbajti, bashkë me zëvendësin e vet, krekacorin Vence, ndaj Presidentit ukrainas Vladimir Zelenski? Pas atij qëndrimi të përmasave skandaloze, kundër Trampit, në mbështetje të Ukrainës. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpërthyen protesta të fuqishme. Ato protesta të bëjnë të shtrohet pyetja nëse Trampi do të arrijë ta përfundojë dot mandatin e dytë ose jo, kurse juristi Kreshnik Spahiu, paradoksalisht, menduaka se Trampi na qenka i shqetësuar se për kë duhet të votojnë në Shqipëri!!!

Në mjetet e informimit masiv pati reagime të forta, si në vijim:

“Në Amerikë fillojnë të flasin se Trampi, në të vërtetë, është një “marionetë” e Putinit… Sa më shumë Amerika e kritikon Ukrainën, aq më shumë brenda Amerikës thuhet se Trampa po bën lojën e Putinit” (Citohet sipas: Gjergj Bovt. “Trampi marionetë e Putinit?”. Faqja e internetit “Bloknot”. 27 shkurt 2025).

Veterani i ushtrisë amerikane, gjenerali Paul Van Riper (1938), qëndrimin e Trampit në Zyrën Ovale e quajti “të padenjë dhe tradhtar, duke theksuar se veprime të tilla minojnë besimin ndaj udhëheqjes amerikane dhe dëmtojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo ishte e turpshme, me mungesë respekti, e rrezikshme, e keqe jo vetëm për Ukrainën, por edhe për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo tingëlloi jo sipas mënyrës amerikane, kjo tingëlloi tradhti. Unë nuk pata vënë re kurrë një reagim të tillë nga ana e veteranëve me pikëpamje nga më të ndryshmet gjatë disa orëve të fundit, Kjo është një pamje neveritëse dhe demoralizuese… Ky ishte një dështim i plotë i udhëheqjes amerikane. Dhe, çka është më e rëndësishme, e bën Amerikën më pak të sigurt. Aleatët tanë po na përkrahin më pak. Në botë janë shtuar njerëzit që na urrejnë. Amerika, në këndvështrimin tim, nuk ka pasë qenë kurrë kaq e izoluar… Shumë analistë theksojnë se këto protesta pasqyrojnë një përçarje të madhe në shoqërinë amerikane. (Citohet sipas: “Mjaft! Trampin janë gati të mos e falin. Amerikanëve u është sosur durimi. Revoltat është e pamundur të ndalen”. Youtube 24 kanal. 08 mars 2025).

[Ёshtë për të ardhur keq që, dy krahët e politikës amerikane - demokratët dhe republikanët - janë kaq të përçarë, në dy kampe kundërshtare - në sorosistë dhe në putinistë. Në historinë e Shteteve të Bashkuara, si kryekështjella e demokracisë botërore, për herë të parë po vihet re një dukuri e tillë, sa flagrante, aq edhe e shëmtuar. Megjithatë, le të shpresojmë se, me kalimin e kohës, mbarë opinioni i shëndoshë publik amerikan, do t’i korrigjojë antenat me drejtim të gabuar të të dy krahëve të politikës].

Pra, sipas juristit Kreshnik Spahiu, Trampit i digjet barku kaq shumë për Shqipërinë, saqë dashka t’i dejtohet popullit shqiptar se për kë duhet të votojë!!! Vajmedet, o jurist! Kjo është e çuditshme, sepse e detyron lexuesin të shtrojë pyetjen: Kreshnik Spahiu vuan nga mungesa e informacionit për figurën e Trampit në raport me shqiptarët, apo informacionin e ka, por, për shkak të servilizmit që ushqen ndaj tij dhe ndaj Grenellit, nuk i intereson ta citojë? Sepse dihet që Trampi, më shumë se nëntë vjet më parë, ka pasë deklaruar:

“… Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë, Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së jashme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas“Trampi i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor 2015).

Këtë informacion e ka pasë transmetuar edhe Radiostacioni “Zëri i Amerikës”, në datën 13 tetor 2016.

Çdolloj cinizmi e ka një cak, por cinizmi i Trampit në raport me popullin dardan nuk njeh kurrfarë caku, përderisa atij nuk i kanë pasë bërë përshtypje absolutisht krimet dhe shkatërrimet e Serbisë fashiste në Dardani. Dashuria e tij për Serbinë dhe Rusinë i paska rrënjët shumë të thella.

Kreshnik Spahiu vallë të mos e ketë informacionin për Trampin, i cili, në qëndrimin ndaj Republikës së Dardanisë, për të kënaqur plotësisht interesat shoviniste të Moskës së Putinit dhe të Beogradit të Vuçiçit, fillimisht, si të dërguar special për Dardaninë, pati emëruar këshilltarin e vet Xhon Bolton (John Bolton), armikun e pavarësisë së Dardanisë?

David L. Filips (Phillips), Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia në Nju York, njëherësh njohës i mirë i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka botuar sa e sa materiale në mbrojtje të shtetit të Dardanisë dhe përgjithësisht të shqiptarëve. Në njërën prej analizave të veta, ai ka deklaruar:

“Presidenti Donald J. Tramp ka tradhtuar besimin e Kosovës në SHBA, duke mos mbështetur progresin e arritur përgjatë dekadave… Unë nuk mund të flas për të, por mund ta imagjinoj tmerrin për paragjykimet antishqiptare të Trampit… Trampi e ka tradhtuar Kosovën… (Citohet sipas: David L. Phillips. “Trampi e tradhëtoi Kosovën”. Faqja e internetit “Front Online”.04 maj 2020).

Ja çfarë ka shkruar David L. Filips (Phillips) për Boltonin:

“Gjatë dhjetëvjeçarëve, Boltoni ka qenë i papërmbajtur në simpatinë e vet parësore ndaj Serbisë. Ai është në përkrahje të planit të tanishëm të Beogradit për ndarjen e Kosovës, në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” (Citohet sipas: David L. Phillips. “Bolton's Bias Against Kosovo” (Paragjykimet e Boltonit kundër Kosovës). Gazeta “Dielli”. 18 shkurt 2019).

Pas Boltonit, Trampi emëroi Metju Palmerin (Matthew Palmer), dhëndrin e Serbisë, i cili pati deklaruar se kur të dilte në pension, do të zhvendosej me banim në Serbi.

Më në fund, emëroi Grenellin, njeriun edhe më armiqësor ndaj Republikës së Dardanisë.

Harron juristi Kreshnik Spahiu që Trampi nuk është Amerika, se Trampi çfarë thotë sot, nuk thotë nesër: në fillim deklaroi se do ta përfundojë luftën në Ukrainë dhe në Gaza brenda 24 orëve, pastaj e ktheu pllakën - do ta përfundojë brenda njëqind ditëve, por e ktheu pllakën përsëri - do ta përfundojë brenda gjashtë muajve. Në një takim me gazetarët në Florida, Trampi e quajti Zelenskin diktator (Citohet sipas faqes së internetit “Radio Svoboda”. 19 shkurt 2025).

Pas kësaj deklarate, vijuan një sërë reagimesh të stuhishme në radhët e politikanëve perëndimorë. Po mjaftohemi me reagimin e kreut të partisë liberale norvegjeze Guri Melbi, i cili tha:

“Kjo është e rrezikshme dhe mashtrim i hapur nga ana e Presidentit Tramp. Është e trishtueshme ta pranosh që, në anën e përtejme të Atlantikut, nuk kanë mbetur më vlera të përbashkëta. Tani po bëhet e qartë që Trampi dëshiron që të fitojë Putini” (Citohet sipas: “Trampi e quajti Zelenskin “diktator””. Faqja e internetit “Tch.Politika”. 19 shkurt 2025).

Por nëntë ditë më vonë, në konferencën e shtypit me Kryeministrin britanik Kirom Starmer në Shtëpinë e Bardhë, pyetjes së një gazetari nëse ai vazhdon ta quajë diktator Presidentin e Ukrainës, Trampi dha përgjigjen në vijim:

“Vallë unë e paskam thënë një gjë të tillë? Nuk mund ta besoj që e paskam quajtur Zelenskin diktator” (Citohet sipas faqes së internetit “EaDaily”. 28 shkurt 2025).

Keneth Adelman (1946), diplomat amerikan, analist politik, ish-ambasador në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka pasë qenë drejtor për kontrollin e armatimeve gjatë Presidencës së Reganit, të cilin e pati shoqëruar gjatë tre takimeve me Mihail Gorbaçovin. Para disa ditësh ai pati deklaruar:

“Ndiej neveri nga gjërat që po ndodhin tani. Administrata e Trampit nuk ka kurrfarë repekti për 80 vitet e bashkëpunimit transatlantik dhe për sovranitetin e Ukrainës. Tani ne ndodhemi në një situatë krejtësisht të kundërt, sepse Ronald Regani pati thënë: “Shëmbeni këtë mur (ka qenë fjala për Murin e Berlinit - E.Y.), zoti Gorbaçov”, kurse Trampi thotë: “Bëni si t’ju teket, zoti Putin”. Regani besonte se duhen përkrahur miqtë dhe duhet t’u kundërvihemi armiqve. Por administrata e Trampit vepron ndryshe - ngrihet kundër miqve dhe mbështet armiqtë”. Citohet sipas: “Republikanët e kohës së Reganit janë të tmerruar, për arsye se Trampi po e orienton ndryshe politikën me Rusinë”. Faqja e internetit “censoru.net”. 20 shkurt 2025).

Shkrimtari amerikan, Glenn Donovan (1962), shkruan për Putinin:

“Mua nuk më pati shkuar kurrë ndër mend që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i nënshtrohen vetëkënaqësisë së pamoralshme të një batakçiu të KGB-së, i cili çdo ditë na fyen dhe na provokon dhe qeveris popullin rus. Ky batakçi, që ka një pushtet total, drejton një popullsi analfabete, raciste, inatçore dhe antiliberale” (Citohet sipas: Glenn Donovan. “Unë e urrej popullin rus, për arsye se ai e ka braktisur lirinë”. Faqja e internetit “Newsland”. 04 janar 2013).

Harron juristi Spahiu që politika e jashtme amerikane, tradicionalisht, ka pasur si gur themeli të drejtën e popujve për vetëvendosje. Më shumë se 100 vjet më parë, dhe pikërisht më 08 janar 1918, në fjalimin që pati mbajtur në Kongres, Presidenti Uilson (1856-1924) pati përcaktuar katërmbëdhjetë pikat e strukturimit të ri të botës pas përfundimit të luftës. Në ato pika, në thelb, qe formuluar parimi i së drejtës së kombeve për vetëvendosje.

Prandaj Trampi dhe pjella e tij e shëmtuar Grenelli, bashkë me trampistët dhe grenellistët, duhet t’i thërrasin mendjes një herë e mirë dhe të mos lëshojnë në qarkullim tullumbace politike përmes thirrjeve paradoksale në adresë të popujve të ndryshëm se kë duhet të zgjedhin në krye të vendit. Ajo e drejtë është hyjnore dhe u takon vetëm popujve, në përputhje me trashëgiminë politike amerikane të Xhorxh Vashingtonit (1732-1799) dhe të Tomas Xheffersonit (1743-1826).

Tre servilët e cituar më lart janë në një gjatësi vale me armikun e Republikës së Dardanisë, Riçard Grenellin, një njeri i pamoralshëm deri në neveri, i cili ka paturpësinë të deklarojë:

“Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trampit, as gjatë mandatit të Baidenit. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit” (Citohet sipas: “Grenell sulmon ashpër Albin Kurtin: Qeveria e tij nuk është e besueshme për SHBA! Ndërkombëtarët të bashkuar kundër tij!”. Faqja e internetit“Radio Evropa e Lirë”. 03 shkurt 2025).

Po kush është homoseksuali Grenell, ky njeri i pamoralshëm në diplomacinë amerikane?

Veterani i gazetës Reuters Irwin Arieff, i cili ka mbuluar OKB-në për 20 vjet, në vitin 2012, ka thënë për Huffington Post se Grenell është “zyrtari më i pandershëm dhe mashtrues, me të cilin kam punuar” (Citohet sipas: Bronwyn Jones. “Kush është Richard Grenell?”. Faqja e intenetit “Kosovo 2.0”. 21 shtator 2020).

Ish-diplomati amerikan, Xheims Perdju (James W. Pardew), njohës i mirë i Ballkanit, në një analizë të botuar gati pesë vjet më parë, ka shkruar:

“Ambasadorja amerikane në OKB, Suzan Rajs (Susan Rice), e ka quajtur Grenellin “të paaftë dhe mashtrues” dhe “një nga njerëzit më të këqij, më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë…”. Pse po mban Grenelli një qëndrim proserb në bisedime? Pse SHBA-të po destabilizojnë një vend proamerikan në një kohë kaq të ndjeshme? Diçka mban erë këtu. Si një luftëtar entuziast, i dhënë pas Trampit, Grenelli mund të jetë thjesht duke u përpjekur me gjithë forcat për të kënaqur shefin e vet. Por dyshoj se këtu bëhet fjalë për diçka më shqetësuese, veçanërisht pas dyshimeve të thella që më mbeten për marrëdhënien mes Trampit dhe Vladimir Putinit…” (Citohet sipas: James W. Pardew. “Washingtoni ngatërrohet në Ballkan ndërkohë që flakët e COVID-19 gllabërojnë botën”. Uebfaqja amerikane e lajmeve “The Hill”. 04 maj 2020).

Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike, analisti politik seb, Dushan Janjiç, për mediumin malazez “Antena M”, ka deklaruar:

“Ne madje i paguajmë edhe Grenellit 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse kur shefi i tij nuk është në pushtet” (Citohet sipas: Serbia e paguan 100 mijë dollarë në muaj ish-të dërguarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Faqja e internetit “The Struga Post”. 04 shkurt 2025).

Sipas Fatos Tarifës, Frrok Çupit dhe Kreshnik Spahiut, tre servilëve të zellshëm të Ramës dhe të Grenellit, Kryeministri Albin Kurti, për të qenë i pranueshëm nga ndërkombëtarët, u dashka që t’i bëjë lëshime Serbisë fashiste, për të krijuar një shtet serb brenda Republikës së Dardanisë. Pra, për t’u bërë qejfin ndërkombëtarëve, të cilët, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në bashkëpunim të ngushtë me ushtrinë e popullit dardan, dhanë një kontribut të madh për çlirimin e Dardanisë nga zgjedha serbe, Kryeministri Albin Kuirti u dashka që interesat e vendit t’i nxjerrë në bregun e pazarit të Serbisë fashiste. Por në zgjedhjet e 09 shkurtit, shumica e votuesve dardanë ua dha përgjigjen servilëve të mësipërm dhe ndërkombëtarëve, të rreshtuar në krah të Beogradit, duke i lënë me gisht në gojë.

Këta servilë të pështirë të Ramës, le të mundohen të zhvishen sadopak nga psikologjia e tyre prej zvarranikësh dhe të dëgjojnë se çfarë thotë një zonjë e nderuar me vetëdije të lartë kombëtare:

“Ne nuk e kemi luksin të drejtohemi nga njerëz të korruptuar, të cilët bëjnë larot e kancelarive të huaja vetëm e vetëm që të vazhdojnë të na qeverisin, ndërkohë që na kanë shitur dinjitetin” (Citohet sipas: Meri Lika. “Edi Rama, për mua, është e shkuara”. Faqja e internetit “Dosja”. 05 shkurt 2025).

Përballë servilëve të monstrave Rama dhe Grenell, disa intelektualë të nderuar kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë një qëndrim burrëror në mbrojtje të interesave të Republikës së Dardanisë.

Intelektuali i njohur, Shpendi Topallaj, ja si ka reaguar kundër Grenellit:

“… Ai, pa pikën e gajles gjen një moment delikat, siç janë zgjedhjet e reja dhe u kujton votuesve se marrëdhëniet me SHBA, qeveria aktuale i ka ulur në nivel të paparë dhe rreshton emrat e nja katër presidentëve të fundit që Albini nuk ua paska dëgjuar porositë. Pastaj, duke theksuar se Aleksandar Vuçiçin e ka mik, dhe duke shpërfillur fjalën e urtë se “Miku i armikut tim është armiku im”, brutalisht ndërhyn në punët e brendshme të një vendi sovran, duke u thënë votuesve se ata duhet të mos e votojnë atë, pasi do të kenë pasoja. Kjo është tërësisht e habitshme dhe sepse të kujton fjalët e xhelatit kur i tha Don Karlosit: “Të vras për të mirën tënde!”. Po Albin Kurti nuk është raja i askujt dhe nuk është as pronari i dyqanit, ku tregtohen interesat e atdheut të tij” (Citohet sipas: “Shpendi Topollaj: Askush, Zoti Richard Grenell, nuk është padroni i Kosovës”. Faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 04 shkurt 2025).

Akademiku Prof.dr. Hakif Bajrami i ka dhënë Grenellit leksionin në vijim:

“Albin Kurti sot është “prodhim” shqiptar, mik i palëkundur i Amerikës, por që shumë është i përcaktuar që ta nxjerr Republikën e Kosovës, nga një pozicion servil, në një pozicion të sigurtë pro NATO-s, SHBA-ve dhe BE-së, mbi të gjitha, pa dilema për kufijtë sovranë të shtetit… Ju shikoni nga lartësia nga çdo pozitë që mbani! Por, po rrëfehem se pas qershorit 1999 e deri më 2025, më shumë “bomba” politike janë hudhë mbi shqiptarët e Kosovës dhe politikën që e drejtojnë, se sa NATO që ka hudhur bomba ndaj nazifashizmit serbian, nga 24 marsi e deri më 10 qershor 1999. Shumë intriga janë thurë e shthurë mbi kurrizin e këtij populli, krejt me prapavijë që të defaktorizohet lufta e UÇK-ës dhe Shpallja e Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008” (Citohet sipas: Akademik Prof. dr Hakif Bajrami. “Për Riçard Grenellin shqiptarët duhet të jetojnë vetëm nëse janë pro Beogradit!”. Faqja e internetit “Kosova Sot”. 05 shkurt 2025).

Prof.dr. Nijazi Halili mundohet ta gdhendë sadopak Grenellin e pamoralshëm dhe trulajthitur me vërejtjet në vijim:

“Kryministri Kurti është produkt i dalur nga vota e popullit, ku ishte personi më i votuar në vend, prandaj të dilet në prag të zgjedhjeve, i nderuari Grenell, me deklarata të njëanshme kundër Kryeministrit Kurti, janë të papranueshme dhe imazh i keq për Republikën e Kosovës. Albin Kurti nuk ka pik prej qiellit, por është zëri i popullit, prandaj z. Grenell, me deklarata të tilla dhe tendencioze, e ka njollosur tërë popullin e Kosovës, pasi Kurti përfaqëson shtetin e Kosovës. Albin Kurti në vazhdimësi e ka mbrojtur interesin e vendit dhe raportet e tij me SHBA ishin dhe janë të shkëlqyera. As një veprim nuk e ka marrë Kryeministri Kurti pa koordinim me SHBA. Pse me një deklaratë të tillë në kohën e zgjedhjeve? Kujt i shërben kjo deklaratë në momentet më dramatike të vendit? Populli duhet lënë i lirë, të votojë pa presione politike, sepse, në të kundërtën, shkelen ligjet e demokracisë (Citohet sipas: Prof.dr Nijazi Halili. “Deklaratat e Grenellit në prag të zgjedhjeve janë të njëanshme dhe nuk prodhojnë paqe e stabilitet në vend”. Faqja e internetit “Kosova Sot”. 07 shkurt 2025).

Kaliforni, 12 mars 2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat