Jo vetëm aspirantët për t’u katapultuar deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ata që e mendojnë se karrigia në atë sallë është pjesë e privatizuar e tyre, apo edhe drejtuesit partiakë të nivelit të dytë e të tretë, janë në ankthin e pritjes së vendimeve nga liderët e plotfuqishëm për listat që do të serviren për t’u votuar më 11 maj, por janë ashtu edhe vetë zgjedhësit, sado indiferentë të mundohen të paraqiten, duke qenë se shumëçka në këtë vend varet prej politikës, janë në mos në ankth, në sundimin e kuriozitetit e pritjes së tyre. Personalisht jam i bindur se edhe këtë radhë në zgjedhje, listat nuk do të paraqesin ndonjë risi thelbësore e kurioziteti do të shuhet shpejt duke ia lëshuar vendin zhgënjimit të përhershëm, pasi edhe ata që do të shfaqen rishtas, nuk do të jenë përfaqësuesit tanë e nuk shkojnë aty për ndonjë risi, por për të mbajtur ngrohtë kartiget e për të entuziazmuar shefat e lartë partiak me duartrokitjet e thirrjet e frenetike, duke luajtur rolin e robotëve të programuar për të thënë vetëm po ose jo, në vartësi të krahut politik ku do të gjenden nën komandë për katër vitet e ardhshme, pa “guxuar” qoftë edhe njëherë të vetme të flasin me mendjen e tyre (në se kanë mend me fol diçka që ia vlen!), si dhe për të siguruar ndonjë privilegj për vete e njerëzit që i rrethojnë.
Edhe kjo e fundit, me kujdes se mos hyjnë në “parcelën” e shefave, e gjithnjë në se diçka shkëputet si pa dashje nga kthetrat e të mëdhenjëve, dinizaurë 35 vjeçar të politikës shqiptare. Në planin makro, shpresa për ndonjë risi ka lindur e vdekur, përderisa sistemi politik është ndërtuar thellësisht i kapur dhe gjithshka varet nga duart e plakura të Sali Berishës dhe dhe atyre të kosumuara Edi Ramës, që nga përzierja e “goglave të fatit” gjithnjë përzgjedhin sipas interesave të tyre, duke mos gabuar asnjëherë që “përzgjedhja” të shkojë në dobi të qytetarëve e të vendit. Listat mbeten edhe në këto zgjedhje të mbyllura, ligjërisht pjesërisht e praktikisht plotësisht, dhe vetëm në duart e tyre. Le të arësyetojmë racionalisht situatën.
Sipas ligjit që e kanë vulosur vetë maliqët e sipërpërmendur, 1/3 apo 33% e listave të kandidatëve për deputetë do të jenë renditur në lista të mbyllura, apo lista partie. Në këtë pjesë ndërhyn edhe përcaktimi i detyrueshëm për respektimin e kuotave gjinore, duke e bërë edhe më të thjeshtë “ekuacionin lista”. Normalisht, dy partitë kryesore nuk duhet të marrin më shumë se 30 - 40% të votave, gjë që e bën kuvendin e ardhshëm lehtësisht të mbyllur e të paracaktuar që me dorëzimin e listave të kandidatëve. Edhe partitë e koalicionet e tjera, të ndryshme nga ato të PD e PS, në u bëfshin parti parlamentare dot, e kanë “të mbyllur”, jo vetëm listën e kandidatëve, por edhe përspektivën afatshkurtër, nga vetë sistemi ynë politik. Vetëm Partia Socialiste teorikisht mundet t’a kaloje “limitin” e listave të mbyllyra të kandidatëve për deputetë, por jo parashikimin e listës përfaqësuese të deputetëve të ardhshëm. Veç sa më sipër, copëzimi për të njejtin shkak i listave në qarqe të vogla, ku rezultati është thuajse i “lexuar” para ditës së votimeve, e shton kuriozitetin tek disa, por edhe makinacionet paraelektorale për të tjerë. Ja, një përshembull: Qarku i Lezhës ka gjithsejt 7 deputetë. Dy partitë e mëdha luftojnë secila për numrin tre e vetëm një mbetet në fatin e formulave - makinacione zgjedhore. Për shkak të ligjit, dy janë të paracaktuar: drejtuesi i fushatës dhe një femër, i treti… Thuajse edhe ky dihet e njihet akoma pa dalë lista.
Le të përpiqemi të zbresim në nivelet e partive apo koalicioneve kryesore të regjistruara, për të argumentuar se shpresa për diçka ndryshe ose nuk ka lindur, ose ka lindur e vdekur. Partia Socialiste, për të mos ia humbur hakun, ndër vite e ka ndryshuar grupin e saj parlamentar dukshëm e gjasat janë që edhe në këto zgjedhje t’a thellojë këtë ndryshim sa I përket përbërjes nominale. Por thjesht rinovimi ka qenë në emra, ndonjëherë edhe me befasi, por jo në mekanizmin e përzgjedhjes së tyre, aq më pak në cilësinë e tyre përfaqësuese, apo dhe në cilësitë intelektuale të të emëruarve të partisë në ato poste të rëndësishme. Kur mendon këtë, shpesh mendja të shkon tek listat e mandateve të para postdiktaturë, e të bën t’i adhurosh ato si të papërsëritshme. Partia Socialiste nuk zhvilloi primare dhe mirë bëri, por hapi një platformë të titulluar “Deputeti që duam”, si risi, duke zhvilluar praktikisht një farsë të barabartë me farsën e primareve në Partinë Demokratike.
Prej këtyre “deputetëve që (nuk) duam”, Rama do të marrë ata që do t’i duhen atij e do t’i katapultoje në vende nderi, si deri më sot, më pak përfaqësuesit prej tyre dhe kryesisht ata pa asnjë kontribut partiak, shoqëror e intelektual të njohur. Ekzistencën e tyre deri në këto lista, ndoshta as që e ka njohur kush veç familjes e një rrethi të ngushtë, e po aq të panjohur edhe do t’a mbyllin mandatin e dhuruar prej Ramës, duke shpërdoruar besimin e sacialistëve. Disa prej tyre, siç edhe ka ndodhur në të shkuarën, mund t’a nisin mandatin “socialistë” e t’a mbyllin “demokratikas”, apo në se rrethanat e sjellin që qeverisja e socialistëve të ketë numra të brishtë e mjeshtri Sali t’ua bëjë me sy me ndonjë dosje, ndonjë aferë, ndonjë joshje apo kërcënim, siç ka ndodhur jo shumë kohë më parë, e siç vetëm ai di të bëje, pushteti mund të ndërroje duar “nga lart”, e qeveria t’a shohë veten, pa prit e pa kujtuar, pa karrige, në mos me karrige të përmbysur e me “këmbët” përpjetë. E gjitha kjo vjen se rinovimi në vetvete, thjesht dhe vetëm në emra e nga ana moshore, nuk sjell asgjë të re. Gjak i ri nga mosha e nga koha e katapultimit aty, nuk do të thotë edhe rinovim i partisë dhe grupit parlamenrar. Shumë prej këtij gjaku “të ri”, s’përfaqësojnë asgjë për socialistët e nuk kanë asnjë kontribut, ndaj nuk ndjejnë as peshën e përgjegjësisë për mandatin e dhuruar, as nuk synojnë t’a ushtrojnë atë në favor të vendit të tyre, por të vetes e udhëheqjes, pasi e dine mirëfilli se janë aty thjesht si numra e gurë shahu që përdoren nga drejtuesit, e jo si përfaqësues të zgjedhësve.
Fatkeqësisht për ne, por jo rastësisht për skemën që i katapulton aq lart, ata shpesh nuk kanë asnjë shkollim të mirëfilltë, vetëm ca diploma të blera nga prindërit, të tjerë sponsorizohen nga krimi e biznesi, duke i bërë ata, jo gjak i ri, por gjak i shprishur i partisë nënë. Si arrijnë ata deri tek Rama? Thjesht fare: mekanizmi i ngritur për rekrutime të tilla është funksional, e vetë Rama i prirur të bëjë surprizuesin fuqiplotë. Partia, në kuptimin e forumeve vendimmarrëse, ka kohë që nuk ekziston.
Ja pra, dy pjesët e listës, kanë të njejtën vulë, nuk sjellin befasi as risi edhe pse në dukje kanë shumë të rinj. Kjo nuk është fantazi, por njohje reale e asaj çfarë ka ndodhur e po ndodh edhe sot. Partia Socialiste nuk mund t’a dorëzonte pushtetin tek Berisha në 2005 - n, nëse Fatos Nano nuk bënte ekzaktësisht kështu: lista jashtë forumeve partiake, me njerëz pa arsim e pa kontribute, ndonjë me të shkuar bashkëpunimi me ish - sigurimin e shtetit e flirtues në distancë me Berishën e pushtetin e tij. Njejtë ndodhi në 2009 - n me Ramën, ku flluska “rinovim” plasi dukshëm, justifikohet deri në njëfarë mase 2013 - ta për nevojën e rikthimit në pushtet, por jo siç edhe ndodhi duke u bashkuar me “çdo lloj horri”. Por në 2025 - n dhe në përpjekjen për të qeverisur në mandatin e katërt radhazi e me synimin për t’a bërë Shqipërinë anëtare të BE – së, lista me përbërje si më lart, janë gati të papranueshme për PS - n, përveçse në se Rama ka synim dorëzimin e vullnetshëm të pushtetit tek Sali Berisha, mbase sepse nuk ia “del dot” më të menaxhojë bëmat korruptive e furinë e drejtësisë ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, prurje të së njejtës rrugë si “gjak i ri”.
Në Partinë Demokratike, gjendja paraqet me shumë më pak të panjohura, për njëmijë e një arësye. Vetë lideri suprem i saj, prof. doktor Berisha, njihet për autoritetin absolut që ka. Ai nuk ka bërë asnjë përpjekje të afrojë të rinj, sepse pas eksperimentit të vitit 2005, ku të përzgjedhurit e tij i dolën kundra me ose pa pahir, ai tashmë “i frynë kosit”! Ka të drejtë, në fund të fundit:, sepse ai e rimori partinë dhe iu rikthye ëndrrës së pazëvendësueshmërisë në pushtet e zgjatjes së “mbretërimit” të tij pushtetor drejt jetëgjatësisë biologjike, nga përkrahja e më të vjetërve në PD. Me ta, ai organizoi “revolucionin” e izolimit të Bashës dhe thyerjen e fortesës së saj bunker në breglanë, ata ia mbajtën frymën gjallë dhe e eksituan përditë poshtë ballkonit në 11 muaj “izolim” nga drejtësia, me ta e dogji parlamentin, me ta është gati ta djeg Shqipërinë, në se ndodh që të mos t’i realizohet egoja e tij e sëmurë për të vdekur në pushtet edhe duke vrarë kundërshtarët e hapur e “tradhëtarët” brenda radhëve të veta. Ndaj Noka, Bardhi, Bylykbashi, Strazimiri, Paloka, Topalli, Sulo, Vokshi, Balliu, Këlliçi e ndonjë tjetër, janë të sigurtë në listat e mbyllura. Pjesën tjetër i ka “të rezervuara” për aleatët edhe ata më të vjetër se vetë e vjetra, ku spikasin “të pavdekshmit” e “të pazëvendësueshmit” Mediu, Duka, Dule, Idrizi… Ndërkohë që Meta dikton nga burgu, sa e si të dojë, përfaqësimin në listat e PD - s, duke futur në lista të mbyllura “të rinj” nga Partia e Lirisë, si Meta, Blushi, Haxhinasto, Xhixha etj.
Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe! Ata kanë mbajtur njëri - tjetrin të lidhur me botën e errët e të padukshme të krimit tash tridhjetë e pesë vite. Po këta të primareve? Janë të nderuar që garuan e fituan brenda partisë. Disa prej tyre dhanë edhe ndonjë leksion “demokracie” aty, dikush kontribuoi edhe duke blerë vota e duke e shkatërruar më tej një parti edhe ashtu të copëzuar. Si të mos mjaftonin këta, të mësuar me shijen e të qënit deputet pas gafave parapolitike të Bashës, dhe të joshur nga egoja e Berishës për “trenin elektoral” më të gjatë në historinë pluraliste shqiptare, në skenë kanë dalë “musketierë të rinj” si Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Sazan Guri e ndonjë tjetër, kryetarë të partive pa emër e pa anëtarë, të cilët edhe ata po e duan ndonjë copë, nëse ka mbetur gjë, nga Partia Demokratike dhe nga pushteti i saj i pritshëm… nëse vjen.
E vetmja vlerë e tyre, por jo risi, do të shfaqet në situatën hipotetike ku PD - ja humbet, nuk pranon zgjedhjet (sjellje kjo vijuese e Sali Berishës, përjashtuar zgjedhjet e 2013 – tës), braktis kuvendin e del në rrugë. Atëherë këta do të thirren nga karriget bosh e do t’a ndritin Shqipërinë duke e bërë jo madhështore, por për të qeshur e për të qarë njëherit kushdo. Joshja e emigracionit, e futja e tyre në llogaritë elektorale për herë të parë, po ashtu ka vendin e vet në ekuacionin pa të panjohura, lista. Edhe 140 deputetë po t’i marrë Saliu, zor se mundet t’ua gjejë vendin gjithë këtyre “karroqeve politike” që s’kanë as votën e bashkëshortes / bashkëshortit, të tyre pas vetes. Jo për harresë, por nuk ia vlen të merresh me përfaqësuesit e deleguar të krimit e interesave të tij, pëfaqësues të korrupsionit galopant e të deformimit të thellë të shtetbërjes e të deleguarëve të tyre, përfaqësues të interesave antishqiptare e të deleguarit e tyre në listat e kësaj partie, pasi na duhet të humbasim shumë kohë për diçka që s’ka nevojë për sqarim dhe analizë.
Për të mos u hyrë në hak, kostum të ri në trup të vjetër kanë veshur Basha, Shehi, Shehaj e Alibeaj, por gjithshka tjetër i tradhëton. Nuk di e nuk dua të “analizoj” në këto zgjedhje partinë e Lapajt, Qorrit e të tjerë nga këta që garojnë rishtas, jo se nuk ka ç’të thuhet për ta, sepse janë lehtësisht të lexueshëm e “të konsumuara” nga mungesa e ideve akoma pa patur asnjë pushtet, por mund të bëjnë diferencën me të tjerët në këto zgjedhje, dhe se nuk meritojnë kritika pasi janë rishtarë në garë. Ata duhen stimuluar, me synim që sadopak të thyhet edhe miti se në Kuvendin e Shqipërisë mund të hyhet ose me PD - në, ose me PS - në, më saktë nga “dyert e errëta” të krimit e korrupsionit, ose hiç.
Interesi për të marrë sa më shumë vota është i natyrshëm për të gjitha palët, ndryshe pse do të konkuronin partitë politike, por votat me çdo kusht edhe nga çdo burim, qoftë edhe i njohur si “i pistë”, siç ngjet përgjithësisht, i shkojnë për shtat vetëm krijimit të pseudoliderëve, apo liderëve pseudodemokratë, sipas parimit makiavelist të shfaqur haptazi prej tyre, “qëllimi e justifikon mjetin”, ku qëllimi është pushteti personal i tyre, e mjeti krimi gjithfarë lloji formash. Rezultati postzgjedhje: Vendi ecën me hapin e breshkës përpara, në mos të bëj hapa të dukshëm pas, krimi e korrupsioni sundojnë kudo si deri më sot dhe e shtrijnë pushtetin e tyre në çdo qelizë të shoqërisë (nëse ka mbetur ndonjë e pa molepsur deri më tani!), dhe partitë politike shkatërrohen bashkë me pushtetin e radhës, në pritje për t’u riorganizuar si organizata gjysëmkriminale në rrethana të tjera, ku të favorizuarit e privilegjuarit e pushtetit do t’u duhet të rikthejnë pak nga paraja pa djersë për të risjellë në pushtet të njejtët, por me kostume të reja.
E shtruar shkurt, kjo situata e listave të kandidatëve për deputetë, e sidomos ajo e deputetëve të pritshëm (jo)përfaqësues, është e tillë sa të vjen të thuash: - Pse të harxhojmë para kot për fushata zgjedhore?! Berisha e Rama le t’a ndajnë mendjen cili do të rrijë në pushtet e cili në opozitë, të zgjedhin ndonjë përfaqësues edhe nga partitë e tjera për sfond gjasëm pluralist e gjasëm demokratik, e të vazhdojnë t’i shkelin me këmbë interesat e këtij vendi, që mbetet në hartë për inerci, pasi ata e kanë plaçkitur e shitur të sotmen dhe të ardhmen e tij, shumicën e herëve në marrëveshje të hapura apo interesash mes tyre. Gjaku i shprishur dominon dhe nuk lejon asnjë rreze shprese për ndryshim, të paktën edhe në këto votime, që priten të vijnë si shumë të tjera, pa zgjedhje e pa zgjidhje.