Mënyra e “djegur” e LDK-së për të marrë vota më 9 shkurt

Opinione

Mënyra e “djegur” e LDK-së për të marrë vota më 9 shkurt

Nga: Faton Mehmeti Më: 17 mars 2025 Në ora: 17:54
Autori Faton Mehmeti

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka dorëzuar mandatin e deputetit. Ashtu siç pritej, kjo gjë ndodhi, njësoj siç do të ndodhë edhe me kryetarin e Lipjanit, i cili ka fituar mandatin e deputetit.

Kryetari i Pejës në zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi mandatin e deputetit duke marrë plot 25 mijë e 942 vota. Ose thënë më mirë, 25 mijë veta janë "mashtruar" nga Gazmend Muhaxheri, pasi ka kërkuar votën për deputet, nga e cila ka hequr dorë.

Në fakt, z. Muhaxheri, me të fituar mandatin e deputetit, kishte bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit. Kishte thënë se ka kandiduar vetëm për ta rritur votën e partisë.

Për mendimin tim, kjo është jo etike, të kërkosh votën, pra besimin, të cilin e merr dhe e "kontrabandon" tek partia. Këtë metodë, ndonëse legale, por të fëlliqur, e ka praktikuar më shumë LDK-ja, si karrem për vota, kryetarët e komunave, kur dihej se ata nuk do të ishin deputetë as nëse zgjidheshin.

Edhe kryetari i Vitisë kandidoi për deputet, edhe pse nuk fitoi, por mblodhi vota për partinë. Politika është edhe moral, jo vetëm metodë brenda rregullave, të cilat LDK-ja i ka përdorur shumë.

Veprimi i z. Muhaxheri duhet të jetë fundi i veprimeve të tilla, jo vetëm nga LDK-ja, por edhe nga partitë tjera. Nuk ndodh askund kjo metodë e "mashtrimit" të opinionit publik, të votuesve të cilëve ua kërkon votën dhe pastaj nuk e merr mandatin për të cilin ke premtuar.

Edhe PDK-ja ka vepruar njësoj me Bedri Hamzën, i cili do ta dorëzojë mandatin e deputetit për t'u kthyer si kryetar i Mitrovicës. Është turp kjo mendësi dhe praktikë mashtruese ndaj qytetarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat