​Behrami nga Buroja: Sot është ditë pikëllimi për gjithë Kosovën

Aktuale

​Behrami nga Buroja: Sot është ditë pikëllimi për gjithë Kosovën

Më: 17 mars 2025 Në ora: 15:07
Ish këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami

Ish këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami bashkë me kandidatin për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, i kanë shprehur ngushëllime familjes për humbjen e babait të ish presidentit, Haxhi Thaçi.

Gjatë vizitës në familjen e ish presidentit, Behrami është shprehur pesimist nëse Thaçit do t’i lejohet nga Haga të vijë në varrim, pasi siç tha ai, në Gjykatën Speciale ku po gjykohet ai ka “padrejtësi”.

“Sot është një ditë pikëllimi për të gjithë bashkëpunëtorët e presidentit Thaçi, por, mbi të gjitha ditë pikëllimi edhe për familjen e presidentit Thaçi, fshatin Burojë, por edhe për krejt Kosovën. Sot ishim bashkë me kandidatin për kryeministër të PDK-së, Bedri Hamzën dhe të tjerët për të shprehur ngushëllime në familjen e presidentit Thaçi. Siç e dini tashmë Komuna e Skenderajt edhe do të ofrojë një ceremoni të dinjitetshme për varrimin e Haxhi Thaçi. Pra, nesër duke filluar nga ora 09:00 do të ketë homazhe, në ora 12:00 do të ketë akademi përkujtimore, ndërsa në ora 15:00 do të bëhet varrim i të ndjerit këtu në Burojë”, ka theksuar Behrami.

Behrami i cili po ashtu ka siguruar votat për deputetë nga radhët e PDK-së, u shpreh se duke parë padrejtësitë që në vazhdimësi ka përdorur kjo Gjykatë ndaj krerëve të UÇK-së, personalisht nuk beson se Thaçi do të lejohet të paktën nesër që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

“Nuk kemi deri më tani informacione, por hapi logjik është se mbrojtja tashmë besoj e ka bërë kërkesën për pjesëmarrjen e presidentit Thaçi në ceremoninë e varrimit. Ndërsa duke parë padrejtësitë që në vazhdimësi ka përdorur kjo Gjykatë ndaj krerëve të UÇK-së, personalisht nuk besoj se ai do të lejohet të paktën nesër që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, ndërsa për ditë tjera mbetet të shihet nëse ata do të lejojnë”, ka shtuar Behrami.

Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka vdekur të dielën në orët e vona, derisa nuk dihet nëse Gjykata Speciale do t’i jap leje Hashim Thaçit për të ardhur në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat