Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave, derisa në takim kanë marrë pjesë anëtarë të strukturës së LDK-së.
Sorensen gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ai në vizitën e tij të parë në Kosovë, tha se objekti kryesor është që të ecë përpara ky proces, mirëpo paraprakisht tha se do të zhvillojë biseda me palët dhe të bëjë një vlerësim se ku ndodhet i njëjti. I pyetur se a nevojitet kompromisi në dialog, ai tha se këtë e përcaktojnë palët.
Sorensen do të qëndrojë deri më 19 mars në Kosovë, ku pritet të takojë edhe liderët e partive tjera politike dhe shoqërinë civile.
Më pas ai do të shkojë për vizitë në Serbi.
Sorensen ka marrë detyrën në shkurt të vitit 2025, duke pasuar ish emisarin e BE-së për dialog, Mirosalv Lajçak.