Më 23 mars të këtij viti, në 45 komuna të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, do të mbahen zgjedhjet lokale. Këto zgjedhje janë një mundësi e mirë për të gjithë ne. Nëpërmjet votës sonë të lirë, të cilën na garanton sistemi i përkryer zgjedhor i këtij vendi, nëse duam ndryshime pozitive dhe jetë më cilësore, duhet të përcaktohemi për më të përgatiturit dhe më të përgjegjshmit.
Sipas njoftimeve të publikuara nga këshillat e nëntë partive politike që garojnë këtë vit, me kandidatët e tyre konkurrenca për të zënë pozitën e këshilltarit komunal është jashtëzakonisht e madhe.
Për dallim nga zgjedhjet e para pesë vjetëve, sivjet për të zënë vend në asambletë komunale të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës do të garojnë 2012 kandidatë. Në këto gara do të përfshihen edhe 41 shqiptarë të natyralizuar, të cilët prej vitesh jetojnë dhe kontribuojnë në Gjenevë. Pothuajse të gjithë kandidatët janë me etnogjenezë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe i takojnë brezit të dytë të të mërguarve.
Në mesin e kandidatëve nga radhët e komunitetit tonë dhe të komuniteteve të tjera bie në sy z. Vehbi Kryeziu, inxhinier i diplomuar i informatikës.
Kryeziu, i përgatitur profesionalisht dhe mjaft serioz në kryerjen e detyrave, do të garojë për pozitën e këshilltarit administrativ të komunës Meyrin të Gjenevës me të Gjelbërit.
Kush është Ing. Vehbi Kryeziu?
Vehbi Hevzi Kryeziu ka lindur më 2 qershor të vitit 1983 në Prishtinë, Republikën e Kosovës.
Familja Kryeziu është me prejardhje nga komuna e Dardanës. Nga kjo familje dolën mësues e atdhetarë të njohur. Sejdi Kryeziu ishte një burrë që gjatë gjithë jetës luftoi për të drejtat dhe liritë e popullit shqiptar. Ai, duke qenë përherë në kërkim të çlirimit të shqiptarëve nga zgjedha serbe, disa herë ishte rrahur dhe burgosur nga sllavo-komunistët.
Në nderim të jetës dhe veprës së Sejdiut, pas çlirimit definitiv të vendit nga Serbia, një shkollë dhe një rrugë mbajnë emrin e tij.
Rrugën e Sejdiut e ndoqi edhe mësuesi dhe gazetari Hevzi Kryeziu. Ai ishte një përkrahës i madh i demonstratave studentore të vitit 1968 dhe 1981.
Hevziu, në fakt, është babai i inxhinierit Vehbi Kryeziu. Më 5 korrik të vitit 1990, nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, së bashku me shokët u përjashtua nga puna si gazetar dhe realizues i Radio Televizionit të Prishtinës.
Hevziu, nga frika e arrestimit, më 1991 migroi në Gjenevë të Zvicrës. Ai edhe në Gjenevë u mor me punën e gazetarit, po ashtu punoi edhe si mësues i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe.
Pas shumë përpjekjesh, atij, në Gjenevë, më 1994 iu bashkëngjitën bashkëshortja dhe fëmijët.
Hevziu gjithçka bënte për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të tij dhe të mërgimtarëve tanë.
Ai, sidomos organizimit të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, i kushtoi rëndësi të posaçme dhe i mbeti besnik deri kur vdiq në gusht të vitit 2009.
Gjatë viteve 1996-1997, pata kënaqësinë që t’i kem nxënës në Shkollën e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe të Gjenevës, Artë Kryeziu dhe vëllain e saj, Vehbi Kryeziu.
Që të dy ishin të edukuar dhe mjaft të interesuar për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Veç kësaj, ata u bënë edhe pjesë e organizimeve tona. Me rastin e festave tona kombëtare dhe promovimit të kulturës sonë në përgjithësi, dhanë një kontribut që s’duhet harruar.
Andaj, secili shqiptar me të drejtë vote në komunën Meyrin të Gjenevës, pa hezitim duhet që votën e tij t’ia besojë z. Vehbi Kryeziu.
Vehbiu, deri në gjysmëvjetorin e klasës së V-të, ishte nxënës i shkollës fillore “Meto Bajraktari” të Prishtinës. Madje, ai përjetoi edhe helmimin misterioz të organizuar nga shërbimet e fshehta të Armatës dhe Policisë jugosllave.
Kjo përvojë e hidhur, sigurisht, ka bërë që Vehbiu ta ruajë me fanatizëm gjuhën dhe kulturën e vendit të tij. Duke qenë i përkushtuar në punë, është integruar shumë shpejt edhe në Gjenevë.
Ai, edhe kur ishte nxënës i ciklit të mesëm, u dallua si bashkëpunues dhe solidar me shokë e shoqe. Vehbiu çdoherë u gjet në krah të atyre që kishin probleme të natyrave të ndryshme.
Ai, me butësinë e tij dhe shpirtin e dëlirë, i ndihmonte që këto kriza të momentit t’i kalonin sa më lehtë.
Vehbiu qysh herët pati shfaqur interesim për shkencat e informatikës. Ai, duke qenë i pasionuar pas tyre, ia doli që me sukses të marrë titullin MA, i diplomuar në Informatikë.
Aktualisht, është administrator i sistemeve dhe rrjeteve informatike në Bankën Kombëtare të Kuvajtit - dega në Gjenevë.
Përveç angazhimit të tij profesional, ing. Vehbi Kryeziu është aktiv edhe në organizatat që mbështesin komunitetin shqiptar në Zvicër. Ai nuk kursen asgjë për të ndihmuar në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar në këtë vend multikulturor.
Vehbiu ishte dhe mbetet një aktivist i fuqishëm për barazinë dhe integrimin e rreth 160 nacionaliteteve dhe kulturave të tjera në jetën shoqërore dhe politike të komunës Meyrin të Gjenevës.
Ing. Vehbi Kryeziu, duke qenë pjesë e Partisë së Gjelbër të komunës Meyrin, do të angazhohet me të gjitha forcat që banorëve të kësaj komune t’u krijojë ambient të shëndetshëm dhe arsim cilësor.
Me votimin e ing. Vehbi Kryeziut, më së tepërmi fitojnë banorët e Meyrin-it, ngase ai është punëtor, i paanshëm dhe pa paragjykime.
Jemi të sigurt që ai, pa dallim race dhe origjine, do t’u dalë në ndihmë të gjithëve. Vota për ing. Vehbi Kryeziun është votë e një ndryshimi pozitiv në arsim, higjienë dhe ushqim të shëndetshëm!