Futbolli shqiptar ka ndaluar në mënyrë që të shijohen festat e fundvitit. Skuadrat po relaksohen sepse i pret akoma një kampionat i gjatë, ku lufta për titull kampion është me e ashpër se kurrë.
Gjithsesi merkatoja e dimrit është e hapur dhe Vllaznia është ndër ato ekipe që ka filluar që tani të hedhë “tentakulat” tek disa lojtarë.
Pas brazilianit Uellingotn Gustavo, i cili nuk la asnjë gjurmë në Shkodër, pritet që të ketë edhe lojtarë të tjerë që mund të huazohen apo edhe të largohen në merkaton e janarit.
Në projekt nga klubi janë 2-3 emra, por për momentin nuk ka zyrtarizime. Fillimisht stafi dhe drejtuesit do të bëjnë një analizë për grupin aktual dhe skarcimet do të varen natyrisht nga afrimet që do të bëhen.
Megjithatë, disa lojtarë që janë me kualitet nuk po marrin minuta dhe interesimi i klubeve të tjera të Superiores për ta është i madh. Më të kërkuarit janë për momentin sulmuesit Mehdi Çoba dhe Kaina Nunes. Ky i fundit e nisi me gol në Laç, por më pas u gozhdua në stol dhe mori shumë pak minuta.
Nga ana tjetër, Çoba është aktivizuar disi më shumë se braziliani. Ai preferohet si lojtar nga Brdariç, por zgjedhje e parë në majën e sulmit janë Aralica dhe Gjurgjeviç. Një futbollist që ka marrë pak minuta dhe pritet të largohet është edhe mesfushori kosovar, Albin Sadrijaj.
Gjithsesi, në ditët në vijim do të mësohet më shumë për lojtarët që mund të lihen të lirë apo që do të huazohen brenda vendit. Trajneri Brdariç nuk do që të nxitohet, pasi sezoni është i gjatë dhe mund të ketë nevojë edhe për ata që po mendohen të larguar.