Në intervistën e tij për “Gazzetta dello Sport”, ditën e derbit mes Interit dhe Milanit, Alessandro Nesta, ish-mbrojtësi i kuqezinjve, foli edhe për merkaton e janarit të dy skuadrave: “Milanezët bënë atë që mundën.
Interi mori Gosens, një anësor i spikatur, dhe Caicedo, njeriun e Inzaghit. Milani nuk mund të bënte asgjë të çmendur në këtë fazë, por të mbështetej në idetë e drejtuesve, të cilët së fundi kanë rezultuar të suksesshëm. Maldini ka një inteligjencë mbi mesataren”
Më tej, disa fjalë për merkaton dimërore të Juventusit: “Pati konfuzion, kishte nevojë për një goditje të madhe. Sidoqoftë, për mua Vlahovic mbetet një e panjohur e madhe. Nuk është e sigurt që një lojtar, edhe pse shumë i mirë, mund të rregullojë gjithçka dhe menjëherë te një ekip si ai bardhezi”.
Ndërkohë, Milani po mendon se çfarë të bëjë me Zlatan Ibrahimovic, sulmues që do ta humbasë derbin kundër Interit për shkak të një problemi tjetër në tendinën e Akilit. “Tuttosport” shpjegon sesi Maldini dhe Massara do të kenë parasysh mungesat e shumta që kanë ndodhur këtë sezon për qendërsulmuesin suedez, i cili aktualisht ende fiton 7 milionë euro në vit. Vendimi final do të merret në pranverë.