Armando Broja nuk gjen rrjetën në Premier League prej më shumë se një muaji dhe do të duhet të presë ende, pasi nuk arriti të shënojë as mbrëmjen e sotme në sfidën e mbetur ndaj Newcastle.
Southampton mposhtet me rezultat 1:2 nga Newcastle.
Herën e fundit që bomberi kuqezi ka dërguar topin në rrjetë, ka qenë më 9 shkurt ndaj Tottenhamit në Londër dhe që atëherë, në 5 takime radhazi nuk ka arritur të shënojë, ndonëse e ka nisur gjithmonë si titullar.
Në sfidën ndaj Newcastle, Broja ishte sërish titullar dhe pati dy mundësi të mira shënimi, por në rastin e parë nuk bëri marrjen e duhur dhe fitoi vetëm një goditje këndi, ndërsa në një tjetër moment, gjuajti keq, duke dërguar topin shumë mbi kuadrat.
Trajneri Hasenhuttl la në fushë sulmuesin deri në minutën e 73-të, pasi dukej se Broja pësoi një dëmtim të lehtë nga një përplasje me mbrojtësin kundërshtar Burns, teksa për t’u rikthyer te goli, duhet të presë ndeshjen e radhës, që do të jetë të dielën ndaj Watfordit, sërish në “St. Mary’s Stadium”.