Pedri po jeton momentin e tij

Futboll

Pedri po jeton momentin e tij

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 12:54
Pedri

Pedri po jeton momentin e tij më të mirë profesional në elitën e futbollit. E thotë vetë dhe e konfirmojnë statistikat e tij mbresëlënëse: ka luajtur në 35 ndeshje, ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 6 asistime. Hansi Flick po e pozicionon atë në rolin e dyshes së mesfushës dhe po i jep shumë vazhdimësi.

Përveç kësaj, i ka dhënë edhe shumë besim. Mesfushori i kombëtares spanjolle, 22 vjeç, analizon formën dhe performancën e tij të shkëlqyer, si dhe atë të ekipit katalanas, në një intervistë për EFE. Ai sapo ka rinovuar kontratën me Barcelonën deri në vitin 2030, çka tregon se ka ende shumë objektiva për të arritur me klubin.

Pozicioni në dyshen e mesfushës: “Më pëlqen shumë ky pozicion, sepse jam gjithmonë në kontakt me topin. Jap shumë pasime dhe loja kalon nëpërmjet meje. Ndihem më rehat dhe kam mësuar se si të pozicionohem më mirë në fazën mbrojtëse”.

Statusi prej lideri: “Ka shumë lojtarë të rinj dhe për shkak të përvojës që kam, do të më takonte të isha një nga liderët e Barcelonës. Më pëlqen ky rol, nuk më tremb aspak. Dua ta përqafoj atë dhe të ndihmoj Barcelonën të fitojë tituj”.

Stërvitjet: “Nuk do të thotë se mënyra e mëparshme e stërvitjes ishte e gabuar, por personalisht më përshtatet më shumë kjo qasje e re. Kjo është arsyeja pse po ndihem kaq mirë”.

Më pak pushim: “Preferoj të luaj, sepse trupi im e ka më të vështirë të rifitojë ritmin kur ndalem për një ose dy javë”.

Kërkesat e Flick: “Më udhëzon të sjell qetësi, të mbaj topin dhe të krijoj raste sulmi”.

Atmosfera në dhomat e zhveshjes: “Gjithmonë bëjmë shaka dhe ngacmojmë njëri-tjetrin, sepse ka shumë lojtarë që ende nuk kanë mbushur 20 vjeç. Kemi shumë harmoni, marrëdhënia e mirë jashtë fushës reflektohet edhe brenda saj”.

Mbi shpërthimin e Raphinha këtë sezon: “E meriton shumë, sepse pati një periudhë kur kritikat e godisnin nga të gjitha anët. Nuk po gjente formën e tij më të mirë, por gjithmonë e shihje duke u stërvitur, duke kërkuar përmirësim dhe pritur për mundësitë që e dinte se do t’i vinin për shkak të punës së tij të palodhur. Tani është në një nivel spektakolar”.

Një mendim edhe për kombëtaren ku bën pjesë: “Kur fiton një kompeticion si Kampionati Europian, mendon: Sikur të vinte që tani Kupa e Botës, sepse jemi në një formë të shkëlqyer. Duhet të presim, janë cikle, kemi një ekip të shkëlqyer. Është një lajm i mirë që lojtarë si Rodri dhe Dani Carvajal do të jenë në dispozicion për Kupën e Botës 2026”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat