Një “martesë” që nuk u realizua. Cesc Fabregas, në verën e vitit 2016, ishte pranë transferimit te Milani.
Mesfushori spanjoll, i cili në atë kohë luante për Chelsea, e ka rrëfyer vetë këtë histori gjatë një konference për shtyp si trajner i Comos:
“Kam folur me drejtuesit e Milanit më 2016, isha 29 vjeç dhe në kulmin e formës sime. Qëndrova te Chelsea, sepse doja t’i tregoja Contes që mund të luaja dhe të fitoja edhe në sistemin e tij”.
Përballja e sotme
Milani zbret në fushë me një qëllim të vetëm: të mposhtë Comon për të vazhduar ndjekjen e vështirë drejt Ligës së Kampionëve. Conceição pret skuadrën e Fabregas në “San Siro”, me larianët që kërkojnë pikë të rëndësishme për mbijetesë.
Pasi mundi me vështirësi Lecce në javën e kaluar, Milani kërkon konfirmim. Në një “San Siro” të tejmbushur, kuqezinjtë nuk kanë alternativë tjetër veçse fitoren, pasi një tjetër hap fals do të thoshte praktikisht lamtumirë zonës Champions, e cila tashmë është 8 pikë larg për shkak të tri humbjeve radhazi ndaj Bologna, Torino dhe Lazio.
Për fat të mirë, kalendari i javës iu jep një dorë kuqezinjve. Me sfidat Bologna-Lazio dhe Fiorentina-Juventus, trajneri Conceição ka mundësinë të rikuperojë terren ndaj të paktën dy rivalëve për një vend në Ligën e Kampionëve. Por, për ta shfrytëzuar këtë mundësi, Milani duhet të bëjë detyrën dhe të mposhtë Comon.
Megjithatë, skuadra e Fabregas nuk është një kundërshtar i lehtë. Larjanët kanë treguar se dinë të bëjnë mirë edhe ndaj ekipeve të mëdha, për këtë mund të pyetet Napoli i Contes apo Fiorentina. Edhe kur kanë humbur, si ndaj Romës, Cutrone dhe shokët e tij kanë treguar lojë të mirë.
Skuadra e sapongjitur në elitë do të mbërrijë në “San Siro” për të luajtur pa frikë, duke ndjekur filozofinë sulmuese të trajnerit spanjoll, duke u mbështetur te lojtarë cilësorë si Nico Paz dhe Diao. Për më tepër, ata vijnë me dëshirën për të reaguar pas barazimit 1-1 me Venezian, ku humbën fitoren në sekondat e fundit për shkak të një penalltie të realizuar nga Gytkjaer.
Pas ndikimit të tij të madh si zëvendësues ndaj Lecce, Leao pritet të rikthehet titullar në formacionin 4-2-3-1 të Conceiçãos. Trajneri portugez pritet të konfirmojë Bondo dhe Fofana në mesfushë, me Reijnders të avancuar dhe Joao Felix që fillimisht do të ulet në stol.
Ndërkohë, portieri, mbrojtja dhe sulmuesi kryesor (Gimenez) nuk do të ndryshojnë. Nga ana tjetër, të rinjtë e rrezikshëm të Fabregas, si Nico Paz dhe Diao, janë gati të testojnë mbrojtjen kuqezi, të ndihmuar nga Caqueret dhe Strefezza.