Lopetegui zbulon prapaskenat e negociatave

Futboll

Lopetegui zbulon prapaskenat e negociatave

Më: 15 mars 2025 Në ora: 12:16
Julen Lopetegui

Julen Lopetegui u shkarkua nga West Ham disa muaj më parë. Trajneri spanjoll u kërkua nga Milani verën e kaluar, përpara se kuqezinjtë të orientoheshin drejt Paulo Fonseca.

Për këtë çështje ka folur vetë tekniku në një intervistë për “AS”, ndërsa vazhdon ta ndjekë futbollin nga distanca, pa pasur mundësinë të drejtojë një ekip: "Jam shumë i vëmendshëm ndaj futbollit dhe ndeshjeve. Tani kam më shumë kohë për të ndjekur kampionate të tjera".

West Ham e largoi Lopeteguin pasi rezultatet e kishin çuar skuadrën angleze në mesin e tabelës. Megjithatë, me ardhjen e Graham Potter (ish-trajner i Chelsea), rënia ka vazhduar deri në vendin e 16-të: "Nuk dua të analizoj se si janë tani, sepse çdo gjë që them mund të keqkuptohet".

Duke folur për shkarkimin e tij, ai tha: "U befasova nga vendimi, sepse përkushtimi i lojtarëve ishte i dukshëm.

E pranuam vendimin, por ishim në një moment ndryshimi. West Ham është një klub me disa aksionerë, kishim një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë ata. Asnjëri nuk na kishte thënë se ishim në rrezik. Sa i përket drejtorit sportiv Steidten?

Nuk dua të flas për të. Kam pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me drejtuesit sportivë, kudo që kam qenë, edhe pse ndonjëherë kemi pasur vizione të ndryshme. Unë kam qenë gjithmonë një njeri i klubit. Prandaj preferoj ta injoroj atë person, për të qenë i sinqertë".

 

Lopetegui përmendi edhe përvojën e tij në Angli: "Te Wolves arritëm një objektiv historik; mbijetesën disa javë para fundit të sezonit dhe kualifikimin në raundin e dytë të ‘Europa League’. Te West Ham ishim afër pozicioneve ku duhej të ishim. Premier League është ende një pasion për mua, do të shohim se ku do të na çojë e ardhmja".

Trajneri spanjoll foli gjithashtu për thashethemet që e lidhnin me Milanin verën e kaluar: "I kam lexuar fjalët e Sacchit dhe mbeta i befasuar. Vendimet e një profesionisti nuk mund të ndryshohen nga humori i tifozëve. Ai dha një shembull personal dhe e ndaj plotësisht këtë mendim. E vlerësova shumë…"

Po çfarë ndodhi verën e kaluar? Edhe vetë Lopetegui nuk mund ta shpjegojë plotësisht: "Ishte e çuditshme dhe e vështirë për t’u kuptuar. Nuk kishte të bënte me mua, por më shumë me një luftë të brendshme vendim-marrjeje brenda klubit"..

Me këto fjalë, ai la të kuptohet se kishte dallime të mëdha brenda drejtuesve të Milanit, të cilat e bënë të vështirë një marrëveshje mes tij dhe “Djallit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat