Ish-CEO i Bayern Munih dhe presidenti i ECA-s, në një intervistë për “Corriere della Sera” ka analizuar sfidën mes Interit dhe bavarezëve në çerekfinalet e Champions League, por mbi të gjitha ka folur për problemet e futbollit modern.
Sipas tij, futbollistët janë futur vetë në kurth duke kërkuar paga gjithnjë e më të larta:
“Paratë që kërkojnë lojtarët duhen fituar në një mënyrë apo në një tjetër nga klubet dhe kjo bëhet duke luajtur më shumë ndeshje, sepse kështu e kërkon tregu televiziv.
Nëse çdo vit lojtarët kërkojnë më shumë, agjentët duan para edhe për thjesht disa biseda, cili klub mund të fitojë ende para?”
Zgjidhja? Rummenigge është i qartë: “Çelësi është ‘salary cap’, vendosja e një kufiri për pagat”.
Madje, ai ka zbuluar se ka folur për këtë ide me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino: “Infantino është i gatshëm ta hapë këtë diskutim. Edhe ai e kupton që është e rëndësishme që të gjithë të jenë të përfshirë.
Nëse askush nuk heq këmbën nga gazi, futbolli do të përplaset drejt e në mur”.