Bobo Vieri, si gjithmonë flet “pa dorashka”. Ish-sulmuesi i njohur ka dalë në mbrojtje të Lautaro Martinez, duke kritikuar ashpër ata që e cilësuan argjentinasin “në krizë”, pas një periudhe jo shumë produktive.
“Vetëm të dështuarit mund të mendonin se një sulmues si Lautaro Martinez ishte në krizë”, – tha Vieri në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. Ish-sulmuesi i Interit dhe i disa skuadrave të tjera ka analizuar gjithashtu sfidën e madhe mes zikaltërve dhe Atalantës, e cila do të zhvillohet nesër në “Gewiss Stadium”.
Ai vlerëson Interin si skuadër më të fortë, por thekson se Atalanta është një kundërshtar për t’u pasur frikë. Vieri shprehet që, nëse do të kishte luajtur nën drejtimin e trajnerit Gian Piero Gasperini, do të kishte shënuar trefishin e golave.
Sa i përket përballjes mes dy dysheve sulmuese, Retegui-Lookman dhe Lautaro-Thuram, ja zgjedhja e Vierit: “Është një pyetje e vështirë, por zgjedh Lautaro dhe Thuram. Kanë më shumë përvojë ndërkombëtare, luajnë në nivele të larta prej kohësh, edhe me kombëtaret e tyre. Janë të gatshëm prej disa vitesh”.
Vieri nuk i kurseu as statistikat për të mbyllur debatin mbi Lautaron: “Flitet për një lojtar që nga janari ka shënuar 10 gola, 5 prej të cilëve në 3 ndeshjet e fundit të Champions League, që ka luajtur. Ky është niveli i tij”.