Abilaliaj merr zemër nga fitorja në Korçë

Futboll

Abilaliaj merr zemër nga fitorja në Korçë

Më: 15 mars 2025 Në ora: 19:46
Abilaliaj

Partizani mposhti në javën e kaluar Skënderbeun në transfertë.

Dueli i radhës është me Teutën në kampionat dhe trajneri Abilaliaj ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp.

Abilaliaj e sheh Partizanin në rrugën e mbarë për kupën dhe kampionatin, teksa shton se synim janë dy vendet e para përgjatë kampionatit të rregullt.

Abilaliaj: Vijmë nga një situatë po themi pak më të mirë.

Ndeshja e kaluar na ka dhënë pak oksigjen për të punuar pak më të qetë. Këto ditë realisht kemi punuar më mirë dhe besoj që ndeshjen që kemi përpara të futemi me një mentalitet të mirë për të marrë tre pikët.

Në tre përballjet ndaj Teutës keni arritur të merrni 7 pikë –

Abilaliaj: Të gjitha ndeshjet që kemi luajtur ndaj Teutës kanë qenë gjithmonë përballje të vështira. Jo vetëm kundër Teutës, por po them ndaj të gjjthë kundërshtarëve të Kategorisë Superiore.

Çdo kundërshtar meriton vemendje, respektin tonë maksimal. E thashë edhe më parë një fitore e rëndësishme në Korçë thjesht na dha pak oksigjen por në vazhdim ambiciet janë të mëdha janë të rëndësishme, kështu që gjithë këtë periudhë jemi marrë për të rregulluar dobësitë që kemi dhe për të përmirësuar ato që kemi bërë mirë realisht në fushën e lojës.

Për ne pikësynimi i sezonit që në fillim ka qenë sigurisht vendet e para të klasifikimit. Normalisht e dimë shumë mirë tranzicionin që iu desh ekipit nga Janari e në vazhdim. Mendoj që përsëri qëllimi është i njëjtë sepse në qoftë se arrijmë në javët në vazhdim të përmirësojmë ato gjëra që ne jemi koshient që mund ti bëjmë më mirë, atëherë besoj se synimi absolut është të arrijmë në dy vendet e para, duke patur parasysh formulën dhe të çfarë të ofron “Final 4”.

Në pak ditë do të ballafaqoheni me Egnatian në kampionat dhe kupë –

Abilaliaj: Të them të drejtën është pak herët për t’iu përgjigjur kësaj pyetje.

Kur je në terren dhe punon përditë në stërvitje me futbollistët ndeshja ndeshjes nuk i ngjan dhe jemi ende duke gjetur modalitetin tonë më të mirë për tu përballur edhe me sfida që mund të kenë koefiçient më të lartë vështirësie.

Në situatën që jemi dhe mënyrës se si kanë qenë ndeshjet të paktën në këtë periudhë që unë po drejtoj ekipin ka qenë tej mase e vështirë duke patur parasysh që ndeshjet kanë qenë shumë afër me njëra – tjetrën. Koha ka qenë shumë e pakët për të punuar dhe për të kuptuar realisht se cili mund të jetë niveli më i mirë që shfaq një 11-she e caktuar.

Besoj që këto ndeshje që kemi luajtur na kanë dhënë goxha përgjigje të mira si në aspektin pozitiv dhe atë negativ. Besoj që javët në vazhdim do na ndihmojnë për të kristalizuar sa më shumë ekipin , i cili për 90 minuta ka rendiment të lartë në fushën e lojës.

Kontigjenti aktual mund të luftojë për trofe –

Abilaliaj: Jam i bindur që ne jemi në rrugë të mbarë për të dy trofetë. Kemi shumë punë për të bërë duke patur parasysh që akoma nuk kemi shfrytëzuar potencialet e këtij ekipi , apo të gjithë lojtarëve. Për një arsye apo tjetrën akoma nuk i kemi marrë maksimumin. Edhe ndërprerja e kampionatit besoj se do të na ndihmojë për të kristalizuar edhe shumë gjëra.

fokusi tani është tek ndeshja e nesërme e cila është një përgjigje edhe në aspektin karakterial për të gjithë futbollistët dhe ne që jemi të fundit. Duhet të jetë një përgjigje e cila i përkon edhe rritjes edhe pjekurisë së këtij ekipi. Në të dyja kompeticionet si në kampionat dhe në kupë jemi aty dhe asgjë nuk na pengon që të punojmë dhe minimalisht të synojmë një nga dy trofetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat