Një postim në rrjetin social “Facebook” bëri që e gjithë shoqëria kosovare të alarmohet.
E pikërisht nga ky postim, rast i A.S. nga Lipjani u bë publik.
Kjo e fundit dyshohet se për muaj të tërë u abuzua e dhunua nga një person me të cilin bashkëjetonte në Lipjan, duke e shfrytëzuar gjendjen e saj jo të mirë mendore.
Policia e Kosovës u vë në lëvizje duke arrestuar të dyshuarin të martën, ndonëse rasti “Dhunë në familje” ishte raportuar tre ditë më parë.
“09.02.2025. Lidhur me rastin me 11.02.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti nën hetime”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Me të marrë informatën, vepruan edhe Prokuroria.
“Menjëherë kemi pranuar përgjigjje nga Policia e Gjilanit, ku jemi njoftuar se rasti është i hapur ‘Dhunë në familje’ dhe personi i dyshuar është i ndaluar në st. Policor në Lipjan”, thuhet nga Prokuroria e Gjilanit.
E nga qendra për Punë Sociale në Gjilan thanë për televizionin se për shkak të gjendjes jo të mirë mendore, viktimës i është ofruar strehimi kohë më parë.
Por e njëjta e kishte refuzuar.
“Secili rast e ka trajtimin e duhur që e përcakton ligji, edhe Adilja e ka pas trajtimin e duhur. Sipas informacioneve që kam Adilja është propozuar që të qëndroj në strehimoren ‘Liria’ por problemi është që për shkak edhe të problemeve që i ka Adilja nuk ka pranuar të qëndroj aty”, tha u.d në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan.
E se është dashur të strehohet me kohë, e thotë edhe vetë avokati i viktimës, Hamdi Jashari.
Sipas tij, abuzime të tilla ndaj A.S. kanë ndodhur edhe në të kaluarën.
“Personi në fjalë i dyshuari të njëjtën e ka mashtruar, duke e shfrytëzuar gjendjen e saj mendore kinse do ta martojë, kanë bashkëjetu, e ka keqpërdor seksualisht gjithashtu edhe dhunë fizike. E ka kontrabandu, e ka skllavëru tu e detyru me punu, e ka dërgu me kërku lëmoshë. E në ditën kritike sidomos kur kjo është kthy në shtëpinë që kanë jetuar nuk ia ka dorëzuar të hollat që i ka mbledh gjatë ditës, ai ka filluar të ushtrojë dhunë”, tha avokati Jashari.
Sipas avokatit, në shtëpinë që banonte 31-vjeçarja, kanë qenë edhe dy apo tre persona të tjerë që kanë heshtur e nuk e kanë raportuar rastin.
A.S. tani jeton së bashku me nënën e saj, e cila po ashtu ka probleme mendore.