Komuna e Malishevës është përfshirë nga vërshimet gjatë ditës së premte, kjo si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës që nisën mbrëmjen e kaluar dhe po vazhdojnë.
Ndërsa, zyrtarët komunalë thonë se janë aktivizuar të gjitha kapacitetet për menaxhimin e kësaj situate.
Mirëpo, kritikë me punën e Komunës së Malishevës, po del të jetë, asambleisti i Kuvendit Komunal të Malishevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi.
Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se komuna ka dështuar, si në planifikim ashtu edhe në projektimin dhe zbatimin e masave parandaluese ndaj katastrofave natyrore.
Ja shkrimi i tij:
MALISHEVA VËRSHOHET, KOMUNA ''KRIHET''
Fshatra të komunës së Malishevës përfshirë qendrën dhe periferinë e qytezës u përfshinë nga vërshimet e shkaktuara nga reshjet e shiut.
Nuk është hera e parë që vërshime të tilla ndodhin, ashtu sikur nuk është hera e parë që komuna thotë se e ka situatën nën kontroll, derisa uji i ka arritur deri tek PRAGU i derës së ndërtesës komunale.
Është e kuptueshme indinjata e qytetarëve të cilëve uji ua vërshon shtëpitë në të cilat nuk rrjedhë uji i pijes.
Bllokohen rrugët para shtëpive, rrugët në lagje e fshatra e deri tek ato që i lidhin me Malishevën, rrezikohen fshatra nga infrastruktura e ndërtuar keq siç është diga në fshatin Mirushë, kurse MILIONA euro investohen nga komuna në rrugë, ura, kanalizime e ujësjellës pa standarde ndërtimi dhe pa masa mbrojtëse ndaj vërshimeve apo faktorëve të tjerë natyror.
Pra, komuna ka dështuar KEQ si në planifikim ashtu edhe në projektimin dhe zbatimin e masave parandaluese ndaj katastrofave natyrore.
Pasojat po i vuajm NE qytetarët.
Është KOHA që të mësojmë, reflektojmë dhe veprojmë ndaj keq-qeverisjes dhe keq-menaxhimit institucional, duke parandaluar përsëritjen e katastrofës politike, sepse vetëm kështu mund të shpresojmë për qeverisje ndryshe që i MBRONË qytetarët nga katastrofat natyrore dhe i SHPËTON ata nga kolapsi ekonomik dhe social që qeverisja aktuale lokale dhe ajo qendrore i ka futur.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/January/08/auto_137053589_10224669883483273_4333609001695294819_n1610133135.jpg)