Të lutem,
mos ma shkul zemrën,
mos ma përgjak ëndrrën,
mos ma pre gjuhën e heshtjes,
se ndihem pranë Zotit,
e mbrojtur në guaskën e detit,
jam pika e lotit të ngrirë në kapakët e syve.
Nuk gënjehem më me fjalë nanuritëse
se besoj vetëm në peshën reale të fjalës në peshore
e kuptoj shumë mirë mashtrimin optik të botës virtuale,
por jam e pafuqishme si qenie
dhe zhgënjehem nga natyrat egoiste të çuditshme,
ndaj preferoj më mirë vetminë e madhe.