Si puhizë yjesh,
si fllad vij tek ti,
të puth me sytë e qiellit
që pikojnë vesë
e të njomin zjarrin e mungesës.
T'i përpij sytë e shpirtit
për të shuar mallin që djeg,
për ty ëndrra ime e bukur,
dhembje e ëmbël që kafshon zemrën,
ti dëshirim i ndrojtur,
ti dritë dielli,
që ndez vezullim sytë e mi
me buzëqeshjen e ndritshme
që largon vuajtjet e mia
duke më dashur në heshtje
e më ngjall ngjyrat e pranverës
që më dehin në dalldi
me frymëzim poetik
me dashurinë për fjalën hyjnore
e unë përjetësisht mbetur peng tek ti,
i fal jetë jetës në shenjtëri,Ti muza ime!
LUFTËTARE APO ENGJËLL?!
Mbrëmjes flet me erën,
vështrimit në të thellin sy,
qesh e bisedon në heshtje
me fjalë të ëmbla,të buta,
gris tisin e një nate plot yje
mbështjellë nga dëshirat e zjarrta,
lindur si bekim ripërtëritjeje
që ushqejnë qiellin e saj të lirë.
Asgjë mbinjerëzore,
asgjë jonjerëzore,
një shpirt i lirë femre
një krijese të adhuruar,
burim jete e mbarësie,
frymëmarrje perëndie prej Olimpi,
zbritur me ëndrrat e së nesërmes
lëmuar lehtë,me dritë mendimi,
rrezëllim lirie,gjuhë dashurie,
pëshpërimë paqeje,diell shprese,
ngritur mbi dhimbjet,grua amazonë.
KËSHTJELLA E ËNDRRËS
Gjithmonë,
pas Krishtlindjes mbeten 5 ditë,
për projektimin e kështjellës së ëndrrës,
për Vitin e Ri që vjen,
themelet ia ndërtojmë me guret e Hënës
TRILL
Në odisenë e jetës,
me ndihmën e muzave
pikturoj fytyrën e kohës
e vargjet i nxjerr nga sytë e përlotur
të meduzave...
NJERËZ UJQ..
jerëz ujq...
Ka njerëz,
që për të mos prishur rehatinë,
deformojnë të vërtetën supreme,
zbukurojnë fjalitë e tyre,
fshihen pas faktit konkret
të shumëkuptimësisë gjuhësore
për të drejtuar më mirë
qëllimet e tyre,djallëzore,
digjen dëshirash të fshehta
mbuluar me velin e gjakftohtësisë,
pra njerëz ujq,maskuar si murgj,
në fushat muzeale të besimeve,
ku shesin produktin 'fjalë'
për pak minuta lavdie.
URAGAN
Zemëruar, deti turfullon mijëra dallgë
përshkuar në luginat e dhimbjeve,
nga fryma e akullt e kohës,
ku re gri mbulojnë sytë,
e ndjenjat pikturohen me fjalë,
në pafundësi kombinimesh,
përthyerjes dritë në univers
bërë vetëm për qiejt,
imazh hyjnor i ditës,
mbetur pas një uragani…!
Marjeta Shatro Rrapaj
BIE SHI…
Fshehur numërojmë hapat e hedhur
në rrugët e jetës plot befasi,
megjithëse në një çast të vetëm
do të donim ta kthenim pas kohën,
atje te përrallat e fëmijërisë sonë,
ku ringjallet sërisht shkëlqimi i syve
e përkulemi butësisht mbi qetësinë e netëve,
tek foletë nën gjethe të drurëve të lartë,
ku zogjtë i këndojnë himnit të jetës.
Lotojnë sytë prej mallit për atë që nuk kthehet
e zemra rikthehet sërish në ato vende
ku malet duken se prekin kupën e qiellit
e prej dhimbjes së shpirtit
bie pa reshtur shi hyjnish…!