Shiu lan heshtjen
e mendimeve të ngatërruara
që digjen mbyturazi
e tymi i tyre mpin gjykimin
E krijon kaosin e fjalëve
që lëndojnë plagët e shpirtit të pastër
shkaktuar nga monstra gjakpirëse
që thajnë shpresat
e i kthejnë në dimër...
RËNIE
Gëzimi im,
zjarr që shuhet sa lind
e hiri fsheh grimcat e mia
që përpëliten mbyturazi
Pëshpërisin heshturazi
psalmin e ringritjes prej ferrit
të kujtimeve të trishta
Pleksur fijeve të padukshme
të vetëdijes...
BARDHEZI
Mos u lodh,
mos pyet për asgjë,
se heshtja hesht,
…se buzëqeshjet sajohen si shpëtim,
se koha lë gjurmë që duken.
Fryn erë e marrë
në ngrehinat e padrejtësisë njerëzore
e trishtimi është i pashmangshëm
për dëlirësinë pa konture.
Se mali nuk lëviz,
veç rëndohet prej dëbore.
Mbërthyer nga dëshpërimi
nga ritet tradicionale,
pranuar me lehtësi.
DILEMË E MARRË
Kur trupi,ka shumë dhimbje,
truri kthehet në vend lutjesh.
Djegin lotët e bien pa zë,
…në kërkim të shpresës së pashpresë,
kur lodhesh nga ditë brengash,
kërrusje prej dilemës:
“Të rrosh a të mos rrosh?”
Shpirti dëneset,psherëtin,
pastaj heshtje e rreme.
Pyetje e ndrydhur për Zotin:
“Të iki apo të rri?!”
Orë e trishtë e mbërthyer
në rënkime,përpëlitje…
Melodia e sëmundjes britmon si e çmendur.
Dorëzuar me sytë drejt qiellit nuk di çfarë pret.