Do të ikim nga trupat tanë,
nuk do të banojmë më këtu,
do të shuhen ëndrrat bashkë me ne.
Buzë galaktikave do të rrimë në pritje
duke parë yjet që shuhen
duke u zhytur në pluhurin e harresës
mes mbeturinave të kohës,
grumbulluar nga stuhitë...
Flet telepatia...
Sa herë presim njëri-tjetrin
me një kryq faljeje në duar,
me një buzëqeshje në buzë.
Sa herë bëhemi gati të rendim,
duke kënduar një refren të ri,
gjersa pendohemi trallisur
dhe kthjellohemi mendimesh.
Kush i vë veshin arsyes së heshtur
i bluan mendimet pa zë.
Kush dashuron vërtet
nuk ndalet nga asgjë...