Në kureshtjen pa fjalë
të vështrimeve vjedhëse
me pyetje të përfytyruara,
por të pathëna natyrisht
po ashtu edhe përgjigjet e tilla,
të ndrojtura me pezëm të fshehur
pas buzëqeshjes së lodhur
për një lindje të re poetike,
përlotur mallëngjyeshëm
e zbukuruar për rikthim
të ëndrrave të hershme
të hoplitëve të antikitetit
në përsiatje për përshpirtje...
Sedër e fyer?!
E pakuptueshme shkëputja
me rënien e muzgut të trishtueshëm,
me rënien e maskave,
premtimeve e tempujve.
Po a do të ketë vallë rikthim
të pikëzuar yjesh malli
për butësi të pafund me ndjesi
në kapërcim të vetvetes
nën simbolikën e lirisë së pafre,
ku pavdekshmëria paguhet
me përjashtim nga gjithçka?!
Puthja
Është dëshirë e ethshme,
patologjike,lindur bashkë me njeriun
që nga thithja e një koke gjiri
për pirje jete nga ujë burimi.
Ka puthje buzësh,sysh,lëkure e shpirti
me asosiacione të dridhshme të ëmbla
në transportim mendimi
me intesitet ndjenje,hovi e frymëzimi.
Ku nën tingujt e kohës ngjizen enigma
për endje të lumturuara deri në dehje,
ku suspansi bëhet i detyruar
para ndjesive të ëndërrta
që tjetërsojnë frymëmarrjet e thella
para bukurive të pafundme,të dukshme.
Kryekreje...
Rrethuar prej vetvetes
në vetminë e madhe,
ku çdokush pret
të ndodhë e pabesueshmja,
frikësuar nga kureshtja e tepërt
se mos prishet mrekullia,
shohim zbrazëtinë e brendshme
rrezatuar te çdo intello i kohës,
ku e pamundura ndalon depërtimin
nën maskat misterioze
të jetëve të mpiksura gjithë larushi
që përndjellin kumte të heshtura
të fillimeve të një bote mahnitëse
me pafundësi në përjetësi...