Akullnaja në kokën e saj,
thërrmohet,shkrin dalëngadalë,
pikon bulëza uji pikë-pikë,
në pritje të diellit në agim,
për bulëzim gjaku në çdo qelizë
e nisje të këngës së mijëra emocioneve
në të adhuruarën paqe të lirisë,
për fluturim qiellor,për vezullim të përjetshëm
të dashurisë me ekzistencën,
për diellzim e përndritje
për ripërtërije të jetës në qetësi mitike,
me fjalë hipnotizuese e ngashnjyese
përtej mendimit e kohës,përtej dhimbjes,
pa frikë,pa varësi,pa mbizotërim,
pa vetëmishërim,pa ndrydhje dhimbjeje,
me përthyerje simbolesh,metaforash,
për kënaqësi shqisash,dëshirash,ndjenjash,
për shenjtërim të njerëzores në hyjnore.
Shpresa si feniks
Tragjeditë moderne të botës
dëgjohen me pëshpërima të mbytura dhimbjeje
në pamundësi frymëmarrjeje
me sytë e shpikjeve shkatërruese virusale
që sjellin dëshpërimin e jetëve
me të ardhme të errët,trishtuese
që kërkon dritën në fund të tunelit,
kur mohon Zotat e i sfidon për ego,
të shumta do të jenë shuarjet e "lamtumirat"
në luftën e krijuar nga errësimi i arsyes
në fikjen e përkohëshme të shpresës si feniks
që do të rilind mbi vdekjen e vetësjellë
me zjarrin e shenjtë të dashurive
në emër të JETËS,
me rrënjë të forta lirie
ushqyer prej hirit të të parëve.
Marjeta Shatro Rrapaj