Ti troket zemrës së vargut,
hyn brenda e luan me ndjenjën,
herë vjen si stuhi e rrëmbyer,
lëshon breshrin e bardhë
e zhdukesh si me magji,
po qielli i jetës ndrin
kur dritat e mendjes
depërtojnë në tërë qenien
që digjet dashuri për lirinë e fjalës
e poezia mban emrin tënd.
Oh, zemër...
Dëgjoje zërin e erës,
që po sjell përlindjen e ndjenjës
e shikoji dy të rinj si Romeo e Xhuljetë
që shtrëngohen fort te njëri-tjetri
tek ndiejnë ethet e zjarrta
e pas hapave të tyre ndihet dashuria që flet
gdhendur në ajër prej qiellit zbret
me krahët e lehtë mbuluar prej dritës
me peshën e shenjtë të ëndrrave për jetën
që kthehen sërisht tek ne
me mallin e fshehur
në çdo rrahje zemre
duke harruar çdo dhimbje
pas syrit të diellit që përkund shpresën e re...