Qielli ngrihet mbi kokën time
si kapitel i ëndrrave shumëngjyrëshe,
të arta,të kaltra,të bardha,të kuqe...
Akuarel vizionesh,
ku në çdo yll një ëndërr e bukur
që rrokulliset pafundësisë së lirisë
në madhështinë e dashurisë
që vlon në çdo pikë gjaku
ngarkuar me mendimet e së ardhmes,
ku duken e zhduken siluetat e frikës
nëpër fushat qiellore imagjinare
të vetmisë së pritjes së të kthjelltave gëzime...
Transformim
Shqisat durojnë pas lutjes
e pas saj lindin vargjet
që zgjojnë dëshirën
e ndjekur nga një shpresë e zjarrtë
e mendimeve në ekstazë vetmie
që kërkojnë ndihmë në qiell
te një kryq i vetëm
që përvëlon e drithmon qenien,
të flas a të mos flas
e hija e vetes zgjatet në natën me hënë
ku flatrat e nostalgjisë
e bëjnë dashurinë të triumfojë
e prej ngazëllimit të ndihet
fisnikërisht e transformuar
në sigurinë e çastit
e paanësinë e absolutes.