Vjen agimi me këngë në buzë
shoqëruar nga kori i zogjve,
parfumi i luleve erëmira
e në horizontit e krahëve të tij
gëlon jeta me ritëm misterioz
e Bota mbart me vete
trillin e gënjeshtërt të përjetësisë
duke humbur kujtimeve
që fërfërijnë flatrat
në vrapin e erës...
Romantike
Univers shndritës,
pasqyrohet
në sytë llamburitës
të përndezur prej ndjenjës,
ku kryqëzohen
shpirtrat e dehur prej dashurisë,
shtrënguar fort në përqafim
me pëshpërima fjalësh të ëmbla
e lutje për përjetësim çasti të pambarimtë,
çast lumturie që klith mbi ujëra të bekuara,
ku ushqehet jeta,
stolisur bisqesh të reja
në ëndrrat profane
të erërave të ngrohta hyjnore
që flladitin të përjetshmen
e aktit të përkryer të mëkatit
të Evës e Adamit
për përflakje shprese
të së nesërmes metaforike,
gjithmonë romantike.