Si Promete ndryshe nga të tjerët,
ti shkon kundër rrjedhës
e era e fatit të vërtit
rreth flugerit të dështimit
në labirintet e subkoshiencës së ngrirë,
lodhur dilemash,
torturuar mendimesh
ku krisen shpresat
e rritin ankthin,zhgënjimet
në bashkëjetesë me mençurinë e çmendur,
ku kërkon të mbetesh ikona e vetvetes.
Çast iluziv...
Përmbys Bota,
ngryset e gdhihet
pret rilindjen
si hëna që duket e zhduket
e njeriu përjetë në kërkim
ngrehinave antike,
mureve të palëvizshme
në mbajtje të rrjedhës së historisë,
ndërkallur me bukuritë e natyrës,
nën kupolën e qiellit
në labirintet e mistereve
skalitur kujtesës së kohës,
nën hijen e lashtësisë
që kumbon drurëve shekullorë
duke kumtuar dashurinë
vibrimeve poetike të Shpirtit,
duke pëshpëritur mite e legjenda
që ndezin fantazitë
e që shuhen ujërave të mendimeve
me klithma gëzimi
që ngrihen fluturim me flatra dëshirash të reja...
Pasthirrma
Prek themelet e ngurtësuara të gjuhës
me britma, zëtinguj,fonema,rrokje e fjalë,
frymëtuar prej Shpirtit,
duke imituar zëthirrmat nga natyra e gjallë,
duke shprehur gjithë ndjenjat
e psikikën e brendshme
me përsosmëri mendimi
me harmonizim emocionesh
në ligjërim abstrakt
natyrshëm,plot vërtetësi jetësore
me intonacionin e duhur
në nukleozën e maturisë,
ku brenda një rrokjeje
fshihet shpirti i gjuhës
që intonohet në akorde emocionale
për thellësi mendimi
në pentagramin muzikor të ahteve virtuoze
në pavdekësinë e mbarë Panit hyjnor,
vetëm me pasthirrma.
*Nukleoza=bërthama
*Pani=gjithë