Gusht i prushtë...
Përkunden ndjesitë,
zhytur në kthjelltësi mirazhesh në shpirt
si rryma freskie,nën hije pemësh,
ku zien kënga e gjinkallave
e mbi barërat e thata rendin karkalecët
mes ajrit të nxehtë që djeg si zjarr
e nga toka e plasaritur dalin turma milingonash
që ndjekin njëra-tjetrën në rrjedhje kohe
duke marrë me vete,çastet, kujtimet
ndërkohë që thërrmohen mendimet
për t'u rikthyer në pluhur
mes përflakjes së dritave e ngjyrave
të syrit të etur për të panjohurën e universit
në të prushtin gusht që sa ka ardhur...
në tejqiejt e galaktikave të udhëtimeve
Përzier me Shi...
Kur të bëhem zog malli,
do fluturoj mbi degë vetëtimash,
sa herë të bjerë shi,
për të sjellë dritën e shenjtë
të shpirtit lajmëtar të ditës së re,
për ju o njerëzit e mi...
Epitaf i ajërt...
Ej,njerëz,zgjohuni,dëgjoni,
Era e kohës po ju flet:
"Dashuria ngjall vdekjen vetë,
ndaj përlindeni ndjenjën sa të keni jetë..."