Ndoshta na ka ndodhur vetë, shpesh kemi dëgjuar nga miqtë tanë apo kemi diskutuar duke pirë një kafe se si marrëdhëniet në distancë janë një dështim i sigurt.
Si mund të funksionojë një lidhje vetëm nëpërmjet Skype apo duke harxhuar fatura të gjata telefonatash për të mesuar të rejat më të fundit nga personi i zemrës?
Asgjë nuk është e pamundur në fund të fundit. Psikologët i qëndrojnë tezës se ndjenjat nuk mund t’i mposhtë largësia , por padyshim mund t’i ftohë.
Ka disa gjëra që mund të bëni për të shmangur frikën e “ftohjes” së marrëdhënies suaj kur mundësitë për të qenë afër janë të kufizuara.
Të bëni gjera së bashku
Fakti që ndodheni larg njëri tjetrit mund t’ju kufizojë të takoheni çdo ditë, por nuk ju kufizon që kur ky moment i shumëpritur të ndodhë, të bëni sa më shumë gjëra me njëri tjetrin duke filluar që nga shëtitjet, bisedat për detajet më te vogla, filmat në kinema , aktivitete në natyrë e shumë të tjera.
Bëni udhëtime të shpeshta
Planifikoni të bëni udhëtime së bashku sapo t’ju krijohet mundësia. Qëllimi nuk është të shkoni sa më larg apo të shpenzoni shumë. Koha cilësore me njëri tjetrin është ajo që ka rëndësi.
Bëni kujdes me xhelozinë
Të jesh larg partnerit, nuk do të thotë domosdoshmërisht që të bluash në kokë se ku ndodhet apo në shoqërinë e kujt. Do ta dëmtonte rëndë marrëdhënien tuaj. Thjesht flisni me njëri tjetrin hapur dhe jepini mundësinë të” ndihet me ju dhe kur është pa ju”. Nëse xhelozia është pjesë e pashmangshme e karakterit tuaj, atëherë rimendojeni çështjen e marrëdhënies në distancë sepse për fat të keq ështe një armik i tmerrshëm.
Flisni sa më shumë për objektivat e përbashkëta
Fakti që jeni larg njëri tjetrit nuk cënon objektivat tuaja të përbashkëta. Duhet t’i keni idetë e qarta dhe të qëndroni afër njëri- tjetrit në vendimet tuaja, ndonëse jo fizikisht.
Epo, në fund të fundit, marrëdhëniet nuk janë të lehta!