Strugë-Ohër, nuk ka anije për shuarjen e zjarreve

Maqedonia

Strugë-Ohër, nuk ka anije për shuarjen e zjarreve

Më: 3 tetor 2021 Në ora: 13:51
Foto ilustrim

As Ohri e as Struga nuk kanë anije zjarrfikëse, për shuarjen e zjarreve nga uji, edhe pse për shumë vite është paralajmëruar nevoja e blerjes së saj. Anija është më se e nevojshme, sepse në breg të liqenit ka disa vendbanime më të mëdha si Kaneo, fshati Tërpejca ose vendbanimi Elen Kamen në anën e Strugës. Pikërisht nga këtu shuarja do të ishte më e lehtë, dhe më efikase.

"Shpresoj se do të hasim në mirëkuptim për të siguruar fonde për këtë qëllim në të ardhmen. Jo vetëm në shuarjen e zjarreve, por të përdoret edhe në situata të caktuara edhe për shpëtim, siç është problemi me mbytjet në anijen që u përmbyt. Mund të marrë flakë edhe ndonjë mjet lundrues. Tani kishim ndërhyrje te një motoskaf në flakë, ndërsa nuk kishim mjete ti afroheshim" -deklaroi Spase Prentoski, komandant i brigadës së zjarrfikësve në Ohër.

Nga Kryqi i Kuq thonë se tani më dhjetë vjet apelojnë se është më se i nevojshëm një mjet lundrues shumë funksional, që do të vepronte në rast të nevojave shëndetësore të qytetarëve.

"Për shkak se kujdesi mjekësor urgjent, për shembull, nuk mund të arrijë në lagjen Kaneo, dhe nëse dikush duhet të dalë nga atje, do të duhet të sillet në duar. Shumë shpesh shpëtimtarët tanë përballen me një problem kur të rinjtë hidhen nga shkëmbi dhe marrin shpesh lëndime të rënda, dhe nuk ka objekt lundrues të përshtatshëm, që mund të reagojë" – tha Antonio Dodevski-Kryqi i Kuq Ohër.

Një problem shtesë për Ohrin janë rrugët e ngushta në pjesën e vjetër të qytetit, përmes të cilave kamionë të mëdhenj dhe kamionë zjarrfikës vështirë depërtojnë. Për të rritur efikasitetin, mungon automjet më i vogël me pompë speciale me kapacitet prej 400 litrave. Ndryshe nga Ohri, shërbimi zjarrfikës i Strugës ka një automjet të tillë.

"Ne kemi mungesë edhe për një automjet të tillë terreni, që na nevojitet me një pompë të tillë në të, të cilat disa qytete i kanë marrë përmes Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Fatkeqësisht, nuk u gjet arsye ti jepet Ohri një automjet i tillë" – u shpreh Spase Prentoski, komandant i brigadës së zjarrfikësve në Ohër.

Nevoja urgjente për blerjen e një anije speciale zjarrfikëse, dhe një automjeti më të vogël zjarrfikës është mëse e domosdoshme dhe kërkesat kanë qenë të vazhdueshme, sepse veprimi nga uji në vendbanimet buzë liqenit do të ishte më i shpejtë dhe më efikas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat