Është një shprehje e përsëritur shpesh: “ndërsa një politikan mendon për zgjedhjet e radhës, një shtetar mendon për brezat e ardhshëm”. Ky mësim tek politika jonë e hershme dhe e tanishme as që nuk zë vend fare. Egoizmi dhe interesat e ngushta të zgjedhjeve të radhës verbojnë dhe perspektiva afatgjatë e vendit kalon ne plan të dytë, për të mos thënë në të fundit fare. Në prag të zgjedhjeve në politikën e brendshme ka gjithmonë premtime për mirëqenie, zhvillim ekonomik, drejtësi, institucione funksionale etj., dhe jo vetëm kaq: ka vende pune që jepen para votimeve nga ato që janë në pushtet apo që premtohen nga aspirantët e pushtetit; mbahet një sy mbyllur për abuzimet e mundshme, shkeljet dhe vjedhjet nga ato që janë në pushtet dhe bëhen premtime për falje gjobash, amnisti fiskale nga ato që e aspirojnë pushtetin etj.,... etj. Të gjitha këto dëmtojnë funksionimin normal të shtetit.
Akoma më keq ndodh në politikën e jashtme (ekonomike, që çuditërisht e mendojmë të ndarë nga ajo politike), ku orientimi i Shqipërisë nuk është i qartë me lindjen apo perëndimin e ndryshon më shumë sipas mbështetjeve paraelektorale e ofertave për investime e ndihme, sesa sipas perspektivave afatgjata të vendit. Do shkojmë me Evropë, thuhet prej kohesh në mënyrë retorike, por kontratat dhe koncesionet jepen me shumë në lindje, madje dhe fare pak kohë para zgjedhjeve. Orientimi drejt lindjes nuk është një fakt vetëm aktual por historik; nuk po bëjmë gjë tjetër, veçse, fatkeqësisht, po ndjekim traditën.
Përjashto periudhën e izolimit vetëvrasës, Shqipëria ka qenë gjithmonë e orientuar drejt lindjes së afërt (në fakt jo orientim por imponim i detyruar për shekuj kur ishim të pushtuar) ose lindjes së largët (me vullnet të udhëheqjes komuniste për motive ideologjike). Akoma nuk kemi kuptuar se orientimi drejt perëndimit kërkon, që të paktën ndonjëherë, t’i prishesh qejfin dikujt në lindje. Personalisht them se ky orientim na ka kushtuar shumë dhe do të na kushtojë. Ndonëse kostoja më e lartë ishte gjatë periudhës së komunizmit, vijon të na kushtojë akoma.
Nuk është shtruar shpesh pyetja se pse fqinjët tanë mijëvjeçar na urrejnë aq shume, që faktikisht është urrejtje e ushqyer nga feja dhe politika dhe përshtypjet e emigrantëve të fundit e tregojnë këtë. Kjo urrejtje ka disa arsye. Pa përjashtuar faktin e luftës, historikisht të natyrshme, por dramatike, për territor, fatkeqësisht kjo urrejtje rrjedh dhe nga paaftësia jonë për tu shkëputur sa do pak nga orientalizmi që na karakterizon. Akoma nuk kemi arritur të krijojmë një qëndrim që duket qartë nga perëndimi, por jemi tërësisht të përkulur ndaj interesave turko arabe. Këtë e tregon dhe dhënia e portit kryesor të Shqipërisë (me gjurmë, për fat jo të gjitha të mbuluara për të ndërtuar pallate e vepra groteske arti, greke e romake) në prag të zgjedhjeve një shoqërie arabe.
Ka ardhur koha të nxirret një mësim një herë e përgjithmonë: e ardhmja e një vendi do të jetë mbi interesat e zgjedhjeve të radhës, të cilat, n. q. s rastësisht bëhen të rregullta, fare mirë mund të jenë rutinë e për arsye të ndryshme mund të ribëhen dhe pas pak kohe si në Itali, Greqi, Kosovë etj. Pastaj nuk ka më porte për të dhënë.