Të bëhemi bashkë kundër Vuçiqit

Opinione

Të bëhemi bashkë kundër Vuçiqit

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 14 dhjetor 2021 Në ora: 09:07
Aleksandar Vuçiq

Që nga Ekipi i Uniteti, të cilin e pati krijuar dr. Rugova në kohën kur zhvilloheshin negociatat në Vjenë për statusin e Kosovës, më asnjëherë s`kemi pasur ekip të tillë. Kjo gjë ka krijuar mundësi të thellimit të përçarjes brenda shqiptare, duke favorizuar ndjeshëm Serbinë në raport me Kosovën. Në këtë kuptim, Kosova nuk ka pasur sukseset që ka mundur, dhe është dashur t’i ketë në negociatat me Serbinë.

Kryeministrat, kanë qenë kryesisht njerëzit që kanë udhëhequr bisedimet, të cilët nuk janë interesuar që të krijojnë Ekipi të Unitetit, me droja se do të shpërqendrohet vëmendje nga ata. Një elitë politike që vuan për protagonizëm, e ka thuaje të pamundur që të pranojë të heq dorë nga shtrirja e përgjegjësisë edhe tek të tjerët.

Faktikisht, ish kryeministri Haradinaj, por edhe Hashimi, bënin disa ftesa për opozitën e kohës për të “larë vetën”, nuk ishte serioze dhe e sinqertë. Ky avaz ka vazhduar edhe më tutje, fatkeqësisht edhe akoma po vazhdon, më kujtohen vargjet e Fishtës “ më zor mblidhen dy shqiptarë se sa mblidhet një thes me pleshta”. Të kthejmë kokën pas dhe të kujtojmë se përçarjet gjithnjë na kanë dëmtuar ne, derisa kundërshtarin e kanë forcuar.

Nisur nga kjo është e rrugës dhe e nevojshme që të krijohet një platformë shqiptare, duke bashkuar kështu rreth një platformë të përbashkët të gjithë shqiptarët, flas politikën por edhe njerëzit tjerë me peshë në jetën tonë politike, në mënyrë që të synohet ruajtja e integritetit dhe sovraniteti të territorit të Kosovës, Shqipërisë dhe kudo ku shqiptarët jetojnë. Në këtë platformë të caktohen vijat e kuqe deri ku mund të negociohet me Serbinë, por edhe me të gjithë ata që kanë apetite ndaj trojeve shqiptare. Kjo gjë pastaj të behët edhe pjesë e Kushtetutës, nga e cila kushdo që vjen pastaj në pushtet nuk do të guxonte të negocionte për vijat e kuqe, për territor dhe cenim të sovranitetit.

Fatkeqësisht, deri tani ka ndodhur që vet shqiptarët i kanë rrahur shpatullat Vuçiqit për ndarjen e Kosovës, për interesa krejtësisht personale, meskine. Kjo gjë duhet të marr fund një herë e përgjithmonë, politikanët garën duhet ta bëjnë për taksa, dhe gjëra të tjera të brendshme, kur është në pyetje Serbia të gjithë të jemi unik.

Unik bëhemi nëse e shohim Kosovën, atdheun tonë si gjën ëmë të shtrenjtë në jetën tonë. Shqiptarët kanë treguar se kur janë bashkë, ndonëse rrallë ka ndodh, mund të bëjnë punë të mira dhe të mëdha. Ibrahim Rugova na mësoi se vetëm të bashkuar mund të ia dalim, dhe si të tillë të jemi bashkë kur është në pyetje ekzistenca e Kosovës. Serbia, dhe jo vetëm, çdo ditë ëndërrojnë për të shkëputur diçka nga Kosova. Eh, mjaft më, mjaft kemi dhënë, asnjë pëllëmbë tokë nuk guxon të jepet. Serbia, dorëzohet dhe mposhtet vetëm të bashkuar, një platformë është e nevojshme për shqiptarët kudo që jetojnë. Ta bëjmë tani sa nuk është vonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat