Vetëvendosja, vazhdim SHPRESE!

Opinione

Vetëvendosja, vazhdim SHPRESE!

Nga: Refik Hasani Më: 30 janar 2025 Në ora: 14:07
Autori Refik Hasani

Qytetarët e Republikës së Kosovës, pas një mandati të plotë, tani në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, kanë edhe më shumë arsye të votojnë masivisht Lëvizjen Vetëvendosje. Gjatë mandatit të Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kjo ka qenë legjislatura më e suksesshme krahasuar me legjislaturat e mëparshme.

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndërmori veprime të cilat kishin qenë domosdoshmërisht të realizuara që dy dekada më parë. Gjatë këtij mandati, ai shtriu sovranitetin e Kosovës edhe në Mitrovicë, duke luftuar kontrabandën, ndaluar përdorimin e valutës serbe (dinari), dhe duke i ndaluar targat e vjetra që regjistroheshin sipas ligjeve serbe. Në një fjalë, ai ndaloi ushtrimin e pushtetit paralel të paligjshëm në veri të Kosovës.

Për qytetarët e Kosovës, që nga shpallja e Pavarësisë, Kosova nuk kishte arritur të merrte kontrollin e plotë mbi veri të vendit, prandaj Lëvizja Vetëvendosje është dhe vazhdon të mbetet shpresa e vetme për Kosovën.

Gjatë këtij mandati, është shënuar një qasje e re në bisedimet Prishtinë-Beograd. Ka qenë praktikë një diskurs i ri politik në raport me Beogradin, duke përfaqësuar dinjitetshëm interesat e Kosovës dhe duke paraqitur propozime për ruajtjen e parimeve themelore të bisedimeve.

Qeveria, gjatë këtij mandati, ka treguar përkushtim dhe ka ndihmuar në forcimin e kohezionit kombëtar, si dhe ka investuar për diasporën dhe shqiptarët në rajon, përfshirë Krahinën e Sanxhakut dhe hapësirat shqiptare. Po ashtu, ndihmoi dhe investoi për shqiptarët e Krahinës me shumicë shqiptare që ende ndodhen padrejtësisht nën administrimin e Serbisë. Në vitin 2022, u ndanë për herë të parë 2 milionë euro për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ndërsa në vitin buxhetor 2025 janë parashikuar 4 milionë euro.

Gjatë këtij mandati, është ngritur çështja e diskriminimit dhe pasivizimit të adresave për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në nivelet më të larta ndërkombëtare, duke përfshirë BE-në, mekanizmat e OKB-së, dhe institucionet e Senatit dhe Kongresit Amerikan.

Lëvizja Vetëvendosje ka treguar gatishmëri dhe ka ofruar planprograme konkrete për të ndërtuar një politikë të re dhe një diplomaci të artikuluar shqiptare në Ballkan, e cila përfshin bashkëpunimin me shtetin shqiptar dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Në këtë drejtim, Vetëvendosje është dhe vazhdon të mbetet shpresa e vetme, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.

Po ashtu, u miratua dhe u funksionalizua Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, dhe instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Një projekt madhor është angazhimi për të ushtruar paditë ndaj Serbisë për gjenocid gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të mbetet shpresa e Kosovës, sepse mandati i tij i plotë flet më shumë se çdo mandat tjetër për të thelluar dhe për të vazhduar progresin në forcimin dhe përfaqësimin dinjitoz të shtetit tonë. Shpresa është që respektimi i ligjshmërisë dhe pavarësisë së institucioneve të shtetit do të kontribuoni që ai t’u kthehet qytetarëve dhe të jetë në shërbim të mbrojtjes së lirisë së tyre, liri që është fituar me shumë sakrifica dhe flijime nga breza të tërë.

Votuesit në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 duhet të votojnë Lëvizjen Vetëvendosje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat