Paradigma e dimensionit politik në Kosovë

Opinione

Paradigma e dimensionit politik në Kosovë

Nga: Remzi Salihu Më: 30 janar 2025 Në ora: 14:20
Autori: Remzi Salihu

Duke vëzhguar nga distanca zhvillimet politike të tanishme, që tanimë trumbetojnë euforitë e tyre patetike, të destinuara për fitore, “cep më cep”, nëpër tërësinë toksore të Kosovës, zëri i tyre konkurues është orientuar edhe jashtë vendit, në diasporë. Prandaj vëmendja jonë na kthehet në kureshtje të sinqertë se cilët janë më të merituarit e klasës poltike që do ta udhëhiqnin më së miri shtetin e Kosovës gjatë katërvjeçarit të ardhshëm. Këto ngjarje janë të rëndësishme, mbase vëmendjen tonë e kthejnë kah ato ndodhi dhe veprime bindëse që janë me interes kombëtar, duam apo s'duam, t’i gjykojmë ose paragjykojmë veprimet e tyre politike gjatë fushatës, ne merremi me to. Dhe ne që nuk kemi interes të drejtpërdrejtë me garën konkuruese, duhet të gjitha paraqitjet t'i vlerësojmë drejtë dhe pa anime, sepse çështja është të fitojnë më të mirët që do të duhej t'i bëjnë kthesat më të sofistikuara e më të mira polike në pushtetin e ardhshëm. 

Entuziazmi, shpresa, animi dhe mbi të gjitha dashuria e popullatës, është e orientuar drejtë andej kah e shohin interesin e tyre, për të fituar ajo partia me efikasitet të përsosur, e cila pastaj do të jetë e gatshme ta udhëheqë shtetin dhe politikën kosovare për këto katër vitet e ardhshme. 

Të gjithë partitë të dala në këtë garë konkuruese, formojnë edhe koloritin e bindjeve poltike të gjithësecilit, qoftë ato të jenë të orientuar djathtas apo majtas në besimim politik të dëshiruar. Është një garë e mundshme, e hapur dhe e lejueshme demokratike, që e mundësojnë lirshëm standardet pluraliste shoqërore të tanishme. Prandaj, pos kësaj gare të hapur, të gjitha bindjet e shumta poltike në Kosovë (Dardani), reflektojnë edhe sondazhet e tyre të preferuara. Por në këtë aspekt të mendimit të lirë e të kujdesshëm politik, gjithësecili nën vetëdijen e vetë, i ka edhe paragjykimet dhe dyshimet e shumëllojshme të fitores. Megjithatë, për këtë frymë të shfaqur politike, të fitores, jemi të ngacmuar të vlerësojmë edhe ne që ndajmë mendime të hapura, me lexuesit e këtyre rreshtave, duke shpaluar bindjet dhe mendimet tona të sinqerta dhe të pavarura, lidhur me këto tensione zërash politike, aktuale, që do të sublimohen më në fund me fitore, nga ndonjëra prej partive fituese në nëntë Shkurt. 

Partia që do të ketë mundësinë dhe fatin ta formojë qeverinë dhe të udhëheqë me politikën kosovare, këto katër vitet e ardhshme, e presin vështirësi, sfida dhe reforma të mëdha qeverisëse. E them këtë mendim, mbase në klimën poltike globale kanë ndryshuar shumë gjëra dhe pikëpamje poltike, të cilat do të kenë ndikim permanent edhe në mbarëvatjen e politikës shqiptare në Ballkan. Besoj dhe parandjej se në këtë rrebesh zërash të fuqishëm, do të ketë kthesa të mëdha politike gjeostrategjike, që do të jenë vendimtare për çështjen shqiptare. 

Qytetarët kanë vetëdijen absolute të kuptimit dhe rëndësisë së madhe të këtyre zgjedhjeve parlamentare, me individë bindës dhe të sukseshëm, për të ardhmen e vendit. Sepse shumë çështje kanë mbetur ende pa u zgjidhur, që vendi të frymojë lirshëm dhe me prespektivë më të mirë e më të shëndoshë.

Tani me ardhjen e republikanëve në Amerikë dhe me fitoren e Trump-it, klima polike do të ndryshojë shumë, ndaj klasa politike, pozitë dhe opozitë këtu te ne, duhet të jenë të vëmendshëm dhe të parapërgatitur për këto ndryshime globale të mëdha, të cilat do të kenë edhe ndikim të madh në kreativitetin politik shqiptar.

Paradigma e re mendimit politik në Kosovë, na futë në kornizën konceptuale, për të kuptuar se si njerëzit dhe shoqëria i interpretojnë apo e perceptojnë politikën aktuale dhe të re që zhvillohet në Kosovë. Këtu patjetër se vihet në spikamë e shprehje fuqia dhe potenciali intelektual kreativ i partive poltike që janë vënë në garë, me modelet dhe programet e tyre politike konkuruese në fushata e veprime të caktuara nëpër të gjitha viset e Kosovës. Duke afruar kandidatët e tyre të mundshëm dhe premtimet e zmadhuara politike ekonomike e sociale, që duhet t'i realizojnë në mandatin e ardhshëm. Por këtyre euforive u paraprijnë, me kritikat e tyre, mediat dhe analistët poltikë të ndryshëm, që ngadonjëherë nga interesat dhe lidhjet që kanë me partitë, qasjet e tyre bëhen edhe të njëanshme dhe kundërshtuese. Nuk janë korrektë në bindjet e tyre. Interesin material e vënë para interesit kombëtar dhe kështu sjellin edhe huti te elektorati votues. Megjithatë populli përherë ka të drejtë dhe di të vendos për cilin subjekt politik të votojë, nëse ia do të mirën dhe prespektivën vendit dhe rinisë së vet. Megjithatë në ring poltik kemi udhëheqësit partiakë që do të konkurrojnë e ndeshen për fitoren e ardhshme në Kosovë. Në krye të këtyre garave janë të parapërgatitur Albin Kurti i VV-së, me aleatët e koalicionit të vet, të grupit Guxo dhe të Alternativës. Kurse ata të opozitës do të garojnë me Bedri Hamzën e PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe AAK-në e Ramush Haredinajt në koalicion me Fatmir Limajn nga NISMA. Secili prej këtyre janë duke i shpaluar programet dhe aftësitë e tyre, për të qenë më në fund të pëlqyerit e votuesve të tyre.

Por të gjithë njerëzit që i kanë përcjellë vëmendshëm ngjarjet polike dhe ekonomike në Kosovë, që nga çlirimi i shtetit prej Serbisë e këtej deri më sot, kanë vlerësime të ndryshme për të arriturat e këtij vendi, sidomos kanë patur kohë për t'i analizuar në mënyrë korrekte baticat dhe zbaticat e shumta, që kanë krijuar dallgët e të vepruarit politik në këto anë. Në sfond të gjykimit nëpër këto vite, janë vënë në spikamë dështimet dhe sukseset e shumta politike. Nga ky rrugëtim i mirë apo i keq, kemi mbërritur deri te zgjedhjet e tanishme të vitit 2025. Sukseset dhe jo sukseset i ndjenë thellë popullata mbi supet e veta, prandaj duhet të ketë kujdes çdo individ se kujt ia jep votën. Por në këtë aspekt qytetari di të gjykojë drejtë për meritat dhe dështimet e politikanëve. 

Edhe pse analistë të ndryshëm japin edhe gjykimet e tyre, por si do të kisha vepruar unë në këto momente vendimtare, që nuk kam asnjë interes material e personal se kush do të duhej t'i fitojë nga këto parti garuese të radhës. Për mua është vlerë të fitojnë më të mirët, më të sinqertët dhe ata që sakrifikojnë më së shumti për vendin. Mbase avancimi politik i popullit, gjendja sociale, punësimi, shkollimi efikas, investimet serioze të kompanive të vendit dhe të jashtme është një çështje sublime kombëtare për të gjithë, e cila është tatuazhuar edhe në mua, si kërkesë e thellë e kohës dhe në vetëdijen time se në krye të politikës shqiptare duhet të jenë përherë njerëzit më të ditur dhe më të sinqertë që do t'i shërbenin popullit pa hile dhe orar. Tani koha është që të zgjidhen më të mirët e popullit. Kur të prezantohet dhe realizohet politika nga më të mirët, atëherë ajo bëhet aura mbrojtëse dhe sfiduese për të gjithë ne karshi ndërkombëtarëve. Sepse ndërkombëtarët më shumë i duan ata politikanë të devotshëm që sakrifikojnë më shumë për vendin dhe kombin e tyre, se sa ata mjeranë që e keqpërdorin durimin dhe sjelljen e qytetarit. 

Albin Kurti, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca, Mimoza Kusari Lila, Donika Gërvalla, Albulena Haxhiu edhe do të tjerë të ri, të ndershëm, sakrifikues dhe të sinqertë, janë një shembull i paparë deri më tani në politikën kosovare. Asnjëherë në këto vite demokracie nuk ka patur politikanë më të përgjegjshëm, sipas bindjes sime se këta të nominuarit më lartë, për t'u shërbyer interesave të Kosovës. Më në skenën e politikës kosovare nuk mund të rekrutohen individë më të dobët se këta të lartpërmendurit. Këtyre asnjëherë nuk u ka munguar dija dhe guximi, për ta mbrojtur e prezantuar Kosovën drejtë, para politikanëve të huaj dhe të vendit. Prej kur është e kyçur në politikë kjo gjeneratë e ditur dhe e re, për vete them, sinqerisht, se jam çliruar nga makthi gjykues që kisha në të kaluarën, mbase përherë kisha drojë se si ndonjëri nga këta politikanët e së kaluarës do ta prezantonte Kosovën para politikanëve të huaj. Fjalori politik dhe njohja e mirë e gjuhve të këtyre politikanëve të tanishëm, që them unë, është shumë larg nga ai fjalori kulturor jo bindës dhe jo i reformuar i kandidatëve politik të opozitës. 

Vetëm fitorja bindëse e VV-së dhe partive tjera aleate, do ta bëjë ndryshimin e madh kësaj here politikës kosovare, sepse janë të betuar për këtë veprim kombëtar. Mandati i dytë i plotë qeverisës i Kurtit, mendoj se do të bëhet edhe kantieri i madh investues, që do ta ndryshojë infrastrukturën ekonomike të shoqërisë në tërësi. Me një miliardë Euro do të kemi ndryshim. Pastaj lehtësimi i kushteve ligjore për të investuar atdhetarët tanë nga diaspora, janë fakte konkrete që mund të ndryshohen gjëra. Rruga dhe tuneli që do të lidhin Prizrenin dhe Tetovën, do të krijojë një mundësi të madhe dhe të re ekonomike, që është me vlerë kombëtare.

Edhe pse këtë prespektivë gjeostrategjike qeverisëse nuk e shohin do media, gazetarë, analistë dhe politikanë tendenciozë, që nuk ia duan të mirën vendit, por vetëm interesit të vet, ata bëhen skeptik në këto gjëra të realizueshme. Por populli, qytetari, është ai faktori kryesor që vendos për të ardhmen e vetë, ndaj të mendojë mirë e mirë se çka do të bëjë në këto kthesa politike me interes kombëtar…

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat